Rektori Dema e pret në vizitë prof. Braunsteinin nga Universiteti i Tel Avivit
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, së bashku me prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Dashamir Burxulli, ka pritur sot në takim prof. dr. Arie Braunsteinin nga Universiteti i Tel Avivit. Prof. Braunstein, në këtë takim, ishte i shoqëruar nga profesori i Sistemeve Elektroenergjetike në UP, prof. dr. Gazmend Pula.
Dema e ka njoftuar profesor Braunsteinin në lidhje me progresin dhe zhvillimet e fundit në UP, teksa ka shprehur falënderimin e tij për vizitën dhe ligjëratën që prof. Braunstein do ta mbajë para studentëve të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Në anën tjetër, mirënjohës për pritjen ishte edhe profesor Braunstein, i cili u shpreh shumë i lumtur me vizitën e tij në Kosovë.
Profesor Arie Braunstein nga Fakulteti i Inxhinierisë në Universitetin e Tel Avivit do të mbajë ligjëratën me titullin “Fenomeni i rrufegoditëses & mbrojtja e sistemeve elektroenergjetike nga rrufeja”, të martën, më 7 maj, nga ora 11:00 në FIEK.