Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri përfiton donacion në vlerë prej 11.888 euro nga Word Learning
Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pranoi sot një set pajisjesh në vlerë prej 11.800 € si donacion nga Word Learning. Në emër të Word Learning pajisjet i dorëzoi Carl Hammerdorfer udhëheqës i projektit Tranformational Ledership Program (USAID/MASHT), kurse në emër të QEQ-it ato i pranoi prof. dr. Naser Sahiti, shef i QEQ-it.
Të pranishëm në ceremoni ishin prof. dr. Myrvete Badivuku - Pantina, prorektore për Buxhet dhe Financa, prof. dr. Shahin Berisha nga GateWay Community College (Arizonë-USA) dhe instruktorët e QEQ-it.
Seti i pajisjeve të dhuruara përbëhet nga: Pajisjet për testimin e puthitshmërisë së mbështjellësit të jashtëm të ndërtesave (Minneapolis BlowerDoor Standard Set), kamerës termike me rezolucion të lartë për termografi profesionale në industri dhe në ndërtesa (Testo 885) dhe pajisjet për matjen e nivelit të ndriçimit në hapësira (Testo 440 Lux-Set).
Të gjitha këto pajisje do të përdoren nga anëtarët e QEQ-it për ngritjen e cilësisë së kurseve certifikuese për studentët e UP-së, për realizimin e projekteve të auditimit energjetik në industri dhe në sektorin e ndërtimit si dhe për nevoja të kërkimeve shkencore lidhur me aktivitetet e QEQ-it.
Në kuadër të ceremonisë së dorëzim-pranimit, udhëheqësi i TLP-së Carl Hammerdorfer uroi që donacioni i ofruar të shërbejë për realizimin e synimeve të QEQ-it ndërsa profesori Sahiti në emër QEQ-it falënderoi z. Hammerdorfer për mbështetjen e vazhdueshme të QEQ-it dhe UP-së në përgjithësi si dhe shfaqi shpresën se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.



