Prorektorja Badivuku flet për rëndësinë e arsimit të lartë në konferencën “Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës”

Administrator Administrator 20 October 2017 Archived

Prorektorja e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Myrvete Badivuku mbajti fjalë rasti në konferencën me temë: “Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të arsimit, drejtorë të shkollave, mësimdhënës dhe akterë të tjerë nga fusha e arsimit.

Prorektorja Badivuku në fjalën e saj, në emër të Universitetit te Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të Rektorit të UP-së, prof. dr. Marjan Dema përshëndeti punimet e konferencës “Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës”.

“Mësimdhënia është profesioni më i çmuar, më i dobishëm për shoqërinë dhe që ka ndikimin më të madh në lumturinë e përbashkët. Me një fjalë, janë mësimdhënësit ata që formojnë të ardhmen e vendit. Janë mësimdhënësit, ata që sot kanë mbi supet e tyre arsimimin e gjeneratës së re, ardhmërisë së vendit” tha prorektorja në fjalën e saj. Ndërkaq shtoi që në UP janë duke u bërë disa reforma , me qëllim bërjen e këtij Universiteti, institucion lider të arsimit të lartë në rajon dhe më gjerë.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, z. Rrahman Jasharaj theksoi rolin e mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë. Ai ftoi liderët politik që arsimin ta bëjnë prioritet në planifikimet e tyre buxhetore.

Fjalë rasti në këtë konferencë mbajtën edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, z. Ismajl Kurteshi, udhëheqësi i projektit nga GIZ, Boris Scharloëski, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Avni Ajdini , drejtori i DKA-së në Viti, z. Qahil Sinani dhe kryetari i Këshillit të Prindërve, z. Bajram Beqiri.

Konferenca “Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës” u organizua nga SBAShK-u dhe GIZ-i.