Propozohen ide të reja për bashkëpunim në mes UP-së dhe Universitetit të Minnesotas, ShBA

Administrator Administrator 3 November 2017 Archived

Profesoresha Karin Hamilton nga Universiteti i Minnesotas vizitoi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilën e priti në takim edhe Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema.

Në këtë takim ishin prezent edhe prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, Hysen Bytyqi, dekani i Fakultetit të Bujqësisë, Skender Kaçiu dhe Fatmir Salihu nga projekti partner World Learning.

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit biseduan lidhur me thëllimin e bashkëpunimit në mes dy universiteteve, duke krijuar projekte të reja kryesisht në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë së Universitetit të Prishtinës.

Dema në këtë takim potencoi vullnetin që ka ky menaxhment për të thëlluar bashkëpunimin me Universitetin e Minnesotas. Ai tha që ekzistojnë shumë projekte në të cilat UP mund të bashkëpunoj me Universitetin e tyre, dhe për të arritur sukses së bashku, duhet të punojnë fort të dyja palët.

Ndërkaq, profesoresha Hamilton shprehu gatishmërinë e Universitetit që përfaqësonte, për të vazhduar edhe tutje bashkëpunimin me UP-në, derisa theksoi që një aspekt i rëndësishëm në të cilin do duhej të fokusoheshin palët është lidhja e Fakultetit të Bujqësisë me industrinë.

Në anën tjetër, Prorektori Bytyqi u fokusua në shkëmbimin e ideve për projekte të reja për bashkëpunim në mes universiteteve, përveç këtyre që veçse kanë filluar të implementohen. Kurse, dekani Kaçiu falënderoi profesoreshën Hamilton për bashkëpunimin e gjertanishëm, duke folur për rezultatet konkrete të arritura deri më tani së bashku, si dhe për projektet konkrete në vazhdimësi.