Promovohet libri i parë në gjuhen shqipe nga fusha e gjinekologjisë me obstetrikë për infermieri dhe mami

Administrator Administrator 22 October 2019 Archived

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” u bë sot promovimi i librit “Gjinekologjia me Obstetrikë për Infermieri dhe Mami”, i pari i kësaj fushe në gjuhën shqipe. Ky libër, me autore prof. dr. Myrvete Paçaradën, si dhe bashkautoreass. VloraAdemi - Ibishi dhe dr. Niltene Kongjeli, u vlerësua lartë nga të pranishmit për faktin që, ndër tjerash, do të jetë një ndihmesë e madhe për studentët dhe profesionistët e kësaj fushë në vendin tonë, rajon dhe më gjerë.

Hedhjen në dritë të librit “Gjinekologjia me Obstetrikë për Infermieri dhe Mami” e përshëndeti i pari i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili tha që ky libër po ofron një horizont të ri të kësaj lëmie në gjuhën tonë, e i cili paraqet një pasuri e vlefshme në raftet e bibliotekave të studentëve tanë.


“Unë sa herë që marr ftesë për pjesëmarrje në promovime librash, çdo herë jam i interesuar të kuptoj fillimisht nëse libri do i shërbej të rinjve, e studentëve në veçanti, duke pasur parasysh që ata janë prioriteti im. Ky libër, përveç që do i shërbejë studentëve, do jetë një dritare më shumë në shërbim të profesionisteve, të cilët tani ushtrojnë profesionet e çmuara të infermierisë dhe mamisë në vendin tonë dhe me gjerë” tha Dema.

Dema vlerësoi lartë punën e autores së këtij libri, prof. dr. Myrvete Paçarada, të cilës në emër të UP-së i ndau mirënjohje për kontribut të jashtëzakonshëm menaxherial dhe akademik për Universitetin.

E lumtur për realizimin e këtij libri u shpreh vetë autorja, prof. Paçarada, e cila falënderoi familjen, miqtë dhe kolegët që e ndihmuan në realizimin e këtij libri.

Jam e vetëdijshme që ky libër është versioni i parë dhe gjatë ribotimeve ne shpresojmë të marrim rekomandime nga kolegët, studentët dhe mamitë, të cilët na kanë ndihmuar deri tani ta shkruajmë këtë libër, e të cilët do të na mundësojnë me sugjerimet e tyre ta plotësojmë dhe korrigjojmë përmbajtjen e tij”, tha ndër të tjerash prof. Paçarada.

Promovimit të librit iu gëzuan edhe dy bashkautoret e tjera të tij, ass. Vlora Ibishi dhe dr. Niltene Kongjeli, të cilat ne fjalët e tyre të cilat theksuan rëndësinë qe ky libër do të këtë për fushën e infermierisë dhe mamisë në vend.

Ndërkaq, lartë përmbajtjen e librit e vlerësuan edhe recensentët prof. dr. Astrit Bimbashi dhe prof. dr. Rubena Moisiu, profesorë nga Universiteti i Tiranës, të cilët thanë që ky libër, përveç që do t’i shërbej studentëve dhe profesionistëve nga Kosova, do jetë libër shumë i nevojshëm edhe në  raftet e bibliotekave të Shqipërisë.

Përmbajtja e librit “Gjinekologjia me Obstetrikë për Infermieri dhe Mami” është bazuar në të dhënat dhe referencat e fundit shkencore në botë nga fusha e gjinekologjisë me obstetrike për fushën e infermierisë dhe mamisë.