Projekti i diplomës i studentes së UP-së përzgjidhet për implementim nga Komuna e Prishtinës
Kompleksi Qafa do të marrë pamje tjetër, falë projektit të hartuar nga studentja e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Yllkë Kosumi.
Projektin “Hapësirat publike, nga hapësira të zbrazëta në hapësira jete”, Yllka e kishte nisur për temë të Masterit dhe pas diplomimit ia dha donacion Komunës së Prishtinës.
“Projekti do të përmbajë parqe me aktivitete të ndryshme prej këndit të lojërave, basketbollit, fitnesit të hapur, parkut të shahut e deri te fusha e vogël e futbollit për fëmijë”, thotë Yllka.
Ajo shprehet e lumtur për faktin se projekti i saj është përzgjedhur nga komuna.
“Jam shumë e lumtur për këtë projekt, sidomos për banorët e asaj pjese. Do të doja që edhe kolegët e mi të bëjnë të njëjtën gjë me punimet e tyre të diplomave”, rrëfen ajo.
E për realizimin e këtij projekti, Yllka thotë se ka pasur përkrahjen e mentores së saj, prof. ass. dr. Arta Jakupi.
“Mentorja ime, Arta Jakupi, më ka përkrahur dhe ndihmuar shumë. Gjatë gjithë kohës ka qenë e gatshme të më ndihmojë”, përfundon Yllka.
Në dhjetor të vitit 2017, Yllka përfundoi me sukses studimet në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në UP.