Profesori i UP-së, Isa Memishi fiton çmimin "Translation and International Understandingʺ të Katarit

Profesori i UP-së, Isa Memishi fiton çmimin "Translation and International Understandingʺ të Katarit

Administrator Administrator 19 December 2017 Archived

Juria profesionale për ndarjen e çmimit "Translation and International Understandingʺ ka vlerësuar dhe ka shpërblyer kontributin e Prof. asoc. dr. Isa Memishit në fushën e leksikologjisë. Isa Memishi, profesor i gjuhës arabe në degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" është shpërblyer për Fjalorin Arabisht – Shqip të botuar në vitin 2011.

Ndarja e shpërblimit "Translation and International Understandingʺ i Shikh Hamad, Emir i Katarit, i treti shpërblim me radhë, është ndarë më 15.12.2017, në hotelin Ritz Carlton, në Doha, në prezencë të princit H.H Sheikh Jassin bin Hama Al Thani.

Fjalori Arabisht-Shqip, i autorit Isa Memishit, është rezultat i një pune shumë vjeçare i autorit. Botimi i këtij fjalori ishte vlerësuar si një ngjarje e rëndësishme në fushën e orientalistikës dhe të leksikografisë në vendin tonë, por edhe të shkencës e të kulturës shqiptare në tërësi. Fjalori përmban mbi 100.000 fjalë, terma dhe shprehje frazeologjike të gjuhës standarde arabe. Krahas leksikut bashkëkohor të gjuhës arabe, aty janë përfshirë edhe mjaftë fjalë të vjetra. Renditja e fjalëve në fjalor është bërë sipas parimit etimologjik-semantik, pra sipas rrënjës së fjalës dhe është renditur sipas rendit alfabetik.

Çmimin ndërkombëtar "Translation and International Understandingʺ është themeluar në vitin 2015 në Katar, për të vlerësuar përkthyesit dhe kontributet e tyre, qofshin ata arabë apo të huaj. Çmimi synon krijimin e urave mes popujve. Gjithashtu, me këtë shpërblim synohet të inkurajohen specialistë të fushës së përkthimit nga arabishtja në gjuhë të huaja si dhe nga gjuhët e huaja në arabisht.  Ndër laureatët e shpërblyer për kontributet e tyre, për përkthime nga gjuha arabe në gjuhën angleze, janë shpërblyer Paul Starkey, Kathrin Holc, Adam Talib dhe Gebrail Fuad Hadad, etj.