Profesoresha Majlinda Kelmendi hap ekspozitën “A është e shkuara ëndërr?”

Administrator Administrator 7 March 2019 Archived

Profesoresha e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Majlinda Kelmendi, ka hapur ekspozitën e saj personale me titull “A është e shkuara ëndërr?”.

Artdashësit mbushen ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës, për të parë punimet e ekspozuara nga profesoresha Kelmendi. Artistja Kelmendi, në veprat e saj të paraqitura, tregoi lidhshmërinë që ka ajo me të kaluarën, të tashmen, por edhe me procesin e të ëndërruarit.

Profesoresha Kelmendi u shpreh e lumtur për praninë e kolegëve, studentëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të saj në këtë event, ndërkaq në veçanti e falënderoi rektorin e UP-së, prof. dr. Marjan Dema, ambasadorët e pranishëm si dhe bashkëpunëtorët e saj në realizimin e kësaj ekspozite. Në fjalën e saj, ajo nuk u ndal te koncepti i punimeve të saj, por i ftoi të pranishmit që t’i shijojnë dhe të diskutojnë rreth përmbajtjes së tyre.

Majlinda Kelmendi që nga viti 2000 është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës - Fakultetin e Arteve të Bukura, në Departamentin e Artit Konceptual dhe mediave të reja. Ajo është artiste e njohur e artit, e cila është e vlerësuar ndërkombëtarisht. Prof. Kelmendi ka ekspozuar punën e saj në vende të ndryshme ndërkombëtare, si: Italia, Austria, Gjermania, Hungaria, Portugalia, Belgjika, Spanja, Polonia, Teksasi/SHBA, Republika Çeke, Bullgaria, Mali i Zi, duke marrë çmime të rëndësishme dhe mirënjohje.

Ekspozita “A është e shkuara ëndërr?” është kuruar nga Edison Çeraj dhe B17 architect dhe do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 5 prill 2019.