Profesor Shahin Berisha krijon fond për kultivim të bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe ASU-së

Administrator Administrator 30 December 2019 Archived

Pas afro gjysmë shekulli angazhim si profesor në Kosovë dhe në Arizonë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, profesor Shahin Berisha është pensionuar. Në nderim të punës së tij, Bordi Këshillëdhënës i Melikian Center i Universitetit Shtetëror të Arizonës (ASU) ka organizuar darkë pensionimi për profesor Berishën, gjatë së cilës profesor Berisha ka lansuar edhe “Fondacionin Shahin dhe Vjollca Berisha”, i cili synon ruajtjen dhe kultivimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Universitetit të…

E pranishme në organizimin për pensionimin e profesor Berishës ishte prorektorja për buxhet dhe financa e UP-së, prof. dr. Myrvete Badivuku – Pantina, e cila u shpreh e nderuar me prezencën e saj në këtë aktivitet, në të cilin përcolli falënderimet e rektorit prof. dr. Marjan Dema, si dhe të stafit e studentëve të UP-së.
“Profesor Berisha ka ofruar përkrahje dhe ka qëndruar pranë UP-së, sidomos në dy dekadat e fundit. Ai, së bashku me profesor Stephen Batalden, ka ndihmuar UP-në intensivisht pas periudhës së luftës, duke u njoftuar me të gjitha sfidat dhe vështirësitë e këtij institucioni. Ata iniciuan dhe përkrahen shumë iniciativa pozitive, veçanërisht në funksion të ngritjes së kapaciteteve të stafit akademik të UP-së,” tha prorektorja.

Badivuku - Pantina shtoi që studentët e UP-së kanë studiuar master dhe doktoratë në ASU, profesorët kanë kryer specializime, menaxhmenti ka përfituar nga përvoja e ASU-së përmes vizitave studimore, për çka UP-ja do t’i jetë përherë falënderues profesorit Berisha. Andaj, në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë, gjatë ceremonisë, prorektorja Badivuku – Pantina i dhuroi mirënjohje profesorit Berisha, për pranimin e së cilës Berisha u shpreh jashtëzakonisht i nderuar.

Fondacioni i familjes Berisha synon ruajtjen dhe kultivimin e mëtejmë të partneritetit në mes të UP-së dhe ASU-së. Nëpërmjet këtij fondi do të vazhdohet këmbimi i kuadrove në mes të dy universiteteve, si dhe do të financohet ndihma e ASU-së në ngritjen e kapaciteteve mësimore dhe shkencore në UP. Po ashtu, fondi synon ofrimin e bursave për studentët që regjistrohen në Melikian Center në ASU (CLI) në programin veror për mësimin e gjuhës shqipe.

UP-ja dhe ASU-ja kultivojnë partneritet të ngushtë për afro dy dekada, falë ndihmës së pakushtëzuar të dhënë nga profesorët Shahin Berisha dhe Stephen Batalden. Më shumë rreth këtij partneriteti mund të kuptoni në dokumentarin e realizuar në shënimin e 18-vjetorit të miqësisë ndërmjet UP-së dhe ASU-së, të cilin e gjeni në linkun në vijim: https://vimeo.com/324885430