Prezantohet plani rregullues i hollësishëm i zonës se kampusit “Fakulteti Teknik”

Administrator Administrator 12 November 2019 Archived

Katedra e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, prezantuan para qytetarëve, studentëve dhe palëve të tjera të interesit, planin rregullues të hollësishëm – zona e “Fakultetit Teknik”, në lagjen Bregu i Diellit.

Para të pranishmëve në sallën e Modelariumit të Fakultetit të Arkitekturës së UP-së, foli rektori, prof. dr. Marjan Dema, i cili tha që nevojat për objekte të reja në UP janë emergjente.
“Unë mendoj që qytetarët me praninë e universitetit në qendër do pasurohen edhe më shumë me arkitekturë më të mirë, gjallëri dhe gjelbërim të projektuar me kujdes nga ekipi ynë” tha Dema, i cili falënderoi të gjithë kontribuuesit në përpilimin e këtij plani rregullativ.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti tha qe kërkesat nga UP-ja janë të kahershme dhe se Komuna është e interesuar që të krijojë zgjidhje për to. “Ne duhet të mirëkuptojmë faktin qe jemi nikoqir të Universitetit të Prishtinës dhe jemi krenarë për këtë, sepse kjo e bënë Prishtinën qytet studentor” theksoi Ahmeti.

Planin rregullativ para të pranishmëve e shpalosi ligjëruesi në Departamentin e Arkitekturës në UP, IDA Ilir Gjinolli. Ai në detaje informoi për bazën ligjore, afatet kohore, koston e ndërtimeve, shtrirjen e ndërtesave e të tjera informata nga ky plan rregullativ. Gjinolli nder të tjera theksoj që planifikimet janë bërë në proporcion me llogaritjet e sipërfaqes së nevojshme për studentë.

Në këtë pjesë të kampusit plani parasheh ndërtimin e Fakultetit Ekonomik, Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore dhe ndërtimi i një pjesë shtesë të fakulteteve teknike.

Plani u debatua nga qytetarët, studentët dhe të pranishmit e tjerë në këtë prezantim, të cilët njëzëri u dakorduan që të gjendet kompromis për kërkesat e qytetareve për më shumë gjelbërim në kryeqytet si dhe kërkesat e studentëve për objekte të reja mësimi.