Pjesëmarrësit e UVP-së përjetojnë një fundjavë të paharrueshme teksa eksplorojnë Kosovën

Administrator Administrator 15 July 2019 Archived

Oana Mihalache, studente nga Rumania, pjesëmarrëse në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, thotë se Radaci është vendi më i mirë që ajo ka vizituar deri më tani. E këtë përvojë të paharruar Oanës dhe qindra studentëve të tjerë ua mundësoi UVP-ja, pjesëmarrësit e së cilës e kaluan fundjavën në Radac, Prekaz, Prizren, Pejë dhe Ulpianë.

“Këtu në Radac pashë se kishte një renditje të grupeve, njerëzit kujdeseshin që një grup të vijë pas tjetrit dhe më pëlqen kujdesi që ata e kanë për vendin e tyre”, tha ajo.

 

Përveç argëtimit, këta studentë mësuan edhe për historinë e Kosovës, veçanërisht sakrificën e familjes Jashari.

Nick Neuton, student nga Amerika, thotë se për herë të parë po e viziton Kosovën dhe se historia e saj po i bën mjaft përshtypje.

“Unë nuk dija asgjë për Adem Jasharin dhe familjen e tij. E dija vetëm se këtu kishte një luftë por, pas kësaj vizite, tashmë e kuptova historinë e tyre”, tha ai.
Ky universitet veror është një mundësi e mirë edhe për studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët bëjnë thirrje që studentët të mos hezitojnë të aplikojnë në edicionet tjera.

Për Shqipdona Zogjanin, UVP-ja është një shans i mirë për njohjen e kulturave të huaja dhe krijimin e shoqërive të reja.

“Nga ky universitet studentët pjesëmarrës përfitojnë shumë, veçanërisht puna me profesorët ndërkombëtarë të universiteteve më prestigjioze në botë, na bën që të mësojmë shumë për një perspektivë tjetër të ligjërimit”, tregon Shqipdona.

Ndërsa Ardian Murtezi thotë se kënaqësia që sjell ky universitet është e paharrueshme.

“Universiteti Veror na mundëson që të marrim njohuri përmes kurseve të ndryshme por edhe të kënaqemi me shoqërinë që e krijojmë dhe të njohim kultura të vendeve të ndryshme”, tha ai.

Këtë vit është edicioni i 19 i Universitetit Veror Ndërkombëtar, ku po marrin pjesë rreth 400 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë