Përkujtim: 10 vjet pa Akademikun tonë Remzi Bakallin, pishtarin e shkencës kosovare.
Sot, në lokalet e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë se Universitetit të Prishtinës, në shenjë të 10- vjetorit të vdekjes, është përkujtuar Akademiku Kosovar, Pishtari i shkencës se agronomisë shqiptare Prof. Remzi Bakalli.
Që nga viti 1970 Prof. Remziu filloi punën si bashkëpunëtorë shkencor në Institutin për Blegtori dhe Veterinari në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 është zgjedhur në pozitën e docentit në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1983 është zgjedhur profesor inordinar, ndërkaq në vitin 1988 e ka fituar titullin e profesorit ordinar. Në vitin 1986, bazuar në të arriturat shkencore dhe arsimore, Remzi Bakalli është zgjedhur anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërkaq në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i rregullt i kësaj Akademie.
Profesor Bakalli ka fituar shume çmime, mirënjohje, lëvdata, si dhe ka mbajtur shume pozita udhëheqëse. Ai ishte bashkëpunëtor i shoqatës së biologjisë dhe mjekësisë eksperimentale të Kosovës, bashkëpunëtor në shoqatën e shpendarëve të Kosovës, redaktor i revistës “Bioteknika” revistë zyrtare e Shoqatës së Bujqësisë së Kosovës, anëtar i Bordit Editorial të Acta Biologiae et Medicinae Experimentalis – revistë zyrtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Anëtar i Bordit Editorial të revistës Zootechnica të Universitetit të Lubjanës, Kryetar i Bordit Editorial të revistës "Peradarstvo" të Kroacisë. Pas futjes së masave të dhunshme në Universitetin e Prishtinës, Remzi Bakalli në vitin 1991 u detyrua të largohej nga Kosova. Në vitin 1992 ishte Profesor vizitor në Universitetin e Georgia-s, në fillim si Imunolog në Kolegjin e Mjekësisë Veterinare dhe nga 1994 si koordinator për kërkime shkencore në departamentin e shpendarisë në Universitetin e Georgia-s. Profesor Remziu ishte përgjegjës dhe menaxhues i shumë projekteve në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Georgia-s, si dhe hulumtues në Poultry and Egg Association në SHBA.
I gjithë kontributi shumëdimensional i tij u vlerësua lartë nga të pranishmit, duke e kujtuar me pietet veprën e jashtëzakonshme 40 vjeçare të tij në ngritjen e kuadrove të reja, avancimin e kërkimit shkencor dhe profesional në përmasa botërore, etj.
Lidhur me punën e shkencore, intelektuale dhe veprën e këtij dijetari të madh, një telegram përkushtimi ka dërguar edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Prof. Marjan Dema.