Përfundon Bachelor-in në UP - shpërblehet me çmim nderi për arkitekturë në Itali
Egzon Feka pat nisur rrugëtimin për të studiuar Arkitekturën në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në vitin 2013. E njohuria që e pat marrë për tre vjet me radhë, sa edhe studioi në nivelin Bachelor në UP, Egzoni thotë që i ndihmoi për të arritur deri te “Çmimi i artë i nderit”, në Itali.
“Padyshim se bazën, të cilën sot e kam në fushën e arkitekturës, e kam marrë në Universitetin e Prishtinës dhe këtë e kam vërtetuar qysh në momentin kur jam zhvendosur në Itali, pasi që jam adaptuar shumë lehtë dhe kam pasur kontinuitet suksesesh në studimet akademike”, thotë Egzoni.
I vlerësuar nga një juri profesionale, ai e rrëmbeu këtë çmim në garën “Kid’s Factory”, të organizuar nga shoqata YAC, e cila është një shoqatë që promovon konkurse arkitekturore.
Gara kishte për qëllim grumbullimin e ideve për të jetësuar një objekt të braktisur të një fabrike, duke e shndërruar në çerdhen më të madhe në botë, gjë për të cilën ishin paraqitur shumë investitorë.
Ndër 1255 ekipe nga 90 vende të botës, ekipi i Egzonit ia doli të nderohet me këtë çmim.
E arritja e këtij suksesi për Egzonin do të thotë një motivim më i madh për punë.
“Ky çmim dhe çmimet tjera, të cilat i kam marrë më herët, për mua janë një shtytje për punën e mëtutjeshme, që në të ardhmen të arrij rezultate dhe suksese edhe më të mëdha”, rrëfen ai.
Aktualisht, Egzoni është në përfundim të studimeve Master në Universitetin “Politecnico di Milano” në Itali.

