Organizohet mbledhje komemorative në kujtim të profesorit Bektesh Bekteshi

Administrator Administrator 28 May 2018 Archived

Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” familjarë, kolegë, miq e studentë, me mbledhje komemorative kanë kujtuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë, Bektesh Bekteshit.

Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” prof .dr. Marjan Dema u shprehu ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe studentëve të profesor Bekteshit.
“Meqë në Universitetin e Prishtinës në kohën e angazhimit të profesor Bekteshit nuk kishte shumë profesionistë nga fusha e metodologjisë së hulumtimeve dhe statistikave në shkenca sociale, ai u dallua për hulumtime shkencore të veçanta dhe kontribut të dalluar në fushën e edukimit dhe arsimit. Kontributi i profesor Bektesh Bekteshit nuk mund të përmbyllet më një fjalim rasti, por ne me krenari do ta kujtojmë si koleg dhe profesor me një personalitet të veçantë”, tha Dema në fjalën e tij.

Veprën e profesorit të ndjerë e vlerësoi lartë edhe profesori Demë Hoti, i cili gjatë fjalës së tij kujtoi kontributin e madh të profesor Bekteshit për edukimin e gjeneratave të reja.

Në emër të familjes, të pranishmit në këtë komemoracion i përshëndeti Driton Bekteshi, i biri i profesor Bekteshit.

Dr. sc. Bektesh Bekteshi ka lindur në Zhegër të Gjilanit, më 1 janar të vitit 1943, në një familje të nderuar në Malësinë e Karadakut. Në vitin 1972 filloi punën si asistent në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës për lëndën “Metodologjia e pedagogjisë me statistikë”. Që nga ajo ditë, nuk rreshti së dhëni kontributin e tij profesional e pedagogjik, duke u bërë shembull për kolegët, studentët dhe të gjithë ata që e njohën.