Nis Edicioni i 19-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Nis Edicioni i 19-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Administrator Administrator 8 July 2019 Archived

Me ceremoni solemne të organizuar në ambientet e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore Universitare, ka nisur edicioni i 19-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës (UVP).

Për dallim nga edicionet paraprake, këtë vit Universiteti Veror është zgjeruar duke rritur numrin e studentëve dhe profesorëve pjesëmarrës, me gjithsej 17 kurse dhe mbi 400 pjesëmarrës.

Këtë e ka bërë të ditur edhe rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili me fjalë rasti hapi edicionin e sivjetmë të UVP-së.
“Kam kënaqësinë të ju informoj se në këtë vit pothuajse është dyfishuar numri i pjesëmarrësve në krahasim me edicionet e kaluara. Ky është një tregues se UVP-ja, nga viti në vit, po bëhet ngjarje e rëndësishme, jo vetëm në kalendarin e vendit tonë, por edhe më gjerë” tha Dema.

Dema falënderoi partnerët dhe donatorët, profesorët pjesëmarrës dhe organizatorët nga UP-ja, për punën e bërë në realizimin e suksesshëm të këtij edicioni të UVP-së.
“Kësaj radhe UP-ja do të jetë nikoqire e mbi 400 studentëve ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe 34 profesorëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të ligjërojnë për rreth dy javë, sa edhe do të zgjasë i gjithë edicioni. Unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që kanë kontribuar për ta bërë të mundur këtë”, shtoi Dema.

Në anën tjetër, edicionin e sivjetmë të këtij eventi e përshëndeti edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi. Ministri Gashi u uroi mirëseardhje studentëve dhe profesorëve, si dhe konsideroi Universitetin Veror si një aktivitet me rëndësi të madhe për ndërkombëtarizimin e UP-së.
“Edhe në këtë edicion ndërkombëtar, me programin e tij shumë të avancuar akademik, UP-ja po vazhdon traditën e hapjes ndaj arritjeve dhe vizioneve më bashkëkohore të dijeve akademike universitare në nivel ndërkombëtar” tha ministri Gashi.

Hapjen e edicionit të 19-të të UVP-së e uroi edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Azem Guri.

Edicioni i 19-të i UVP-së ka sjellë në Universitetin e Prishtinës 415 studentë, prej tyre studentë nga vendet fqinje por, edhe nga vende më të largëta, si: Tajvani, Senegali, Amerika, Anglia, Polonia, Turqia, Spanja, Austria, Egjipti, Potugalia, Bangladeshi, Guineja, Franca, e shumë vende të tjera.

Përveç kurseve, studentët do të kenë mundësinë të marrin pjesë edhe në punëtori të ndryshme gjatë dy javëve sa do të mbahet Universiteti Veror.

Ky edicion i UVP-së do të zgjasë deri më 19 korrik 2019.