Në UP, nis punimet shkolla verore e BE-së
Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka filluar Shkolla Verore e Bashkimit Evropian. Kjo shkollë pesë ditore është organizuar nga “Young Cell Scheme”, “European Young Cells Alumni” (EYKA) si dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përshëndeti punimet e kësaj shkolle verore, duke theksuar që ka qenë suportues i këtij programi që nga dita e parë e ekzistencës së idesë për të.
“Pres nga ju, pjesëmarrës në këtë program veror, që gjatë kësaj periudhe të merrni detyra, t’i kryeni ato dhe të mësoni me tepër për rrugëtimin drejt BE-së” tha Rektori Dema para të pranishmëve.
Në ketë event pjesëmarrëse ishte edhe prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustina. Ajo tha se kjo shkollë verore është një mundësi ideale për studentët, në mënyrë që të zgjerojnë njohuritë e tyre. Po ashtu, prorektorja Pustina theksoi që Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë të mbështetë projekte të tilla në dobi të studentëve të tij.
Në anën tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se sistemi i arsimit është shtylla kryesore për një shtet që të ketë zhvillim ekonomik dhe politik. Apostolova foli edhe për grantet e dhëna nga BE-ja dhe përfitimet që kanë pas studentët e UP-së nga programet e ndryshme mundësuar nga ta.
Punimet e kësaj shkolle i përshëndeti edhe ministrja në detyrë e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, duke thënë se integrimi në BE është pjesë e agjendës kosovare.
Tematikat kryesore të kësaj shkolle pesë ditore, e cila do të përfundoj me 7 korrik 2017, lidhen me çështjet e BE-së, ekonominë dhe politikën, zbatimi i MSA-së dhe marrëdhëniet BE-Kosovë.