Në UP diskutohet për privatësinë e të dhënave

Administrator Administrator 25 May 2018 Archived

Qendra e Ndërmarrësisë dhe Inkubatori Zyrtar i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” - Venture UP në bashkëpunim me organizatën TLP Citizens Corps organizoi panel për të diskutuar lidhur rregullativat e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave. Në këtë aktivitet, i cili u mbajt në Amfiteatrin e Administratës Qendrore të UP-së, rendësi e veçantë iu kushtua Rregullores së re Evropiane për Privatësinë e të Dhënave, e cila do të hyjë në fuqi me datën 25 maj 2018 dhe do të ndryshojë rregullat…

Në këtë panel u tha se çdo organizatë apo kompani që vepron në Kosovë dhe e cila merret me përpunimin e të dhënave personale të shtetasve të BE-së, do të kërkohet të respektojë standarde më të rrepta në kuadër të kësaj Rregulloreje dhe t'u japë përdoruesve më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre. Pjesë e panelit të diskutimit ishin: Dardan Xhymshiti - inxhinier i të dhënave në PRIME I, Elvin Mala - konsulent për Auditimin e Sistemeve të Informacionit dhe Valon Kryeziu - drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Panelisti Elvin Mala konsideroi se kjo direktivë i ka udhëzuar vendet se si të adoptojnë dhe si të i miratojnë ligjet, prej të cilave tani me këtë Rregullore qeveritë nuk janë të detyruara dhe nuk është e nevojshme që të miratojnë ligje specifike ose shtesë për mbrojtjen e të dhënave. Ndërkaq, Dardan Xhymshiti konsideroi se kjo Rregullore sjell disa ndryshime, përveç parimeve që konsiderohen përafërsisht të njëjta.

Përveç fjalës së panelistëve, aktiviteti u karakterizua edhe më shumë mundësi për studentët e UP-së dhe pjesëmarrësit e tjerë që në pjesën e dytë të bëjnë pyetje rreth temës dhe të bëhen pjesë e diskutimit. Shqetësimi i studentëve të UP-së dhe përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme që ishin pjesë e diskutimit fokusohej më tepër tek aspekti territorial i shtrirjes dhe efektit të GDPR-it si dhe tek fakti se si do të veprojë kjo direktivë duke e ditur që qytetarët e Kosovës nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, por funksionojnë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas panelistëve, kjo Rregullore, pavarësisht situatës, do të ketë ndikim me shtrirje shumë të madhe.