Në takimin “Kafe me Rektorin” diskutohet rreth formimit të klubeve studentore në UP
Në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, u zhvillua sot takimi i dytë në kuadër të aktivitetit “Kafe me Rektorin”.
Studentët nga njësi të ndryshme akademike të Universitetit të Prishtinës paraqiten para rektorit të UP-së, prof. dr. Marjan Dema, dhe ekipit të tij, idetë për themelimin e klubeve studentore në kuadër të universitetit.
Në këtë takim, rektori Dema ishte i shoqëruar nga prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Kocinaj – Berisha, këshilltari juridik i tij, prof. Flamur Hyseni, dhe asistentja, znj. Blerta Dibrani.
Dema dhe ekipi i tij u kujdesen që studentët të informohen lidhur me mundësitë që ofron universiteti, teksa i orientuan ata për informim me shërbimet për karrierë, shërbimet në fushën e inovacionit, mësimdhënies, e të tjera fusha, të cilat UP-ja, me zyrat dhe qendrat e krijuara, i ofron për studentët e tij.
Rektori Dema i inkurajoi studentët që të angazhohen në krijimin e klubeve studentore, të cilat do të operonin brenda Universitetit të Prishtinës, prej nga përfitimet e tyre do të jenë të mëdha. Sipas tij, me organizimin e këtyre klubeve, studentët do të përfitojnë shkathtësi jashtëkurrikulare, siç janë: shkathtësitë në lidership, rrjetëzim, komunikim, etj., të cilat janë të domosdoshme për ngritje në karrierë.
Studentët e pranishëm e falënderuan Rektorin për iniciativën që të zhvillojë takime të përmuajshme me studentët, nismë e cila, sipas tyre, vlen shumë për ta. Në këtë takim, ata diskutuan për idetë e tyre lidhur me krijimin e klubeve të ndryshme të studentëve brenda universitetit, si: klubin e informimit, klubin e studentëve me nevoja të veçanta, klubin e etikës studentore, kubin e sportistëve, artit & fotografisë, ligës universitare, e të tjera ide, të cilat u pasuan me diskutim nga të pranishmit në këtë takim.
Takimet e studentëve me rektorin Dema janë takime të përmuajshme, gjatë të cilave diskutohet për tema të ndryshme që prekin cilësinë e jetës studentore në UP.
Takimi i sotëm u zhvillua nën motot: “Së pari studentët” dhe “Unë jam UP”.