NË FAKULTETIN JURIDIK TË UPHP-SË U DISKUTUA PËR TË DREJTËN INTELEKTUALE DHE ATË INDUSTRIALE

Administrator Administrator 19 April 2018 Archived

Në Gjykatoren e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Autorit, u mbajt ligjërata me temën: ‘’Të drejtat e pronësisë intelektuale në Kosovë’’, ku u diskutua rreth sfidës së mbrojtjes së ideve dhe inovacionit.

Në këtë ligjëratë panelistë ishin: dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Haxhi Gashi,  znj. Luljeta Plakolli-Kasumi - asistente në Katedrën Juridiko-Civile , z. Valon Kashtanjeva - drejtori i Zyrës për të Drejta të Autorit , z. Isa Dukaj - drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale dhe znj. Sadije Topojani nga Sektori i Pronësisë Industriale, Dogana e Kosovës.

Dekani i Fakultetit Juridik prof .dr. Haxhi Gashi, në fjalën e tij hyrëse foli rreth rëndësisë së drejtave autoriale dhe për vështirësitë që hasen në vendin tonë në këtë fushë, pasi që edhe pse ekzistojnë ligjet, ende mbetet një problem i madh pirateria.

Ndërsa  z. Valon Kashtanjeva, nga Zyra për të Drejta të Autorit, tha se Fakulteti Juridik është shtëpia ku krijohen juristë të cilët duhet të mbrojnë të drejtat autoriale qoftë para gjykatave kompetente ose institucioneve të cilat kanë kompetenca në zbatimin e të drejtave pronësore intelektuale.

Kjo ligjëratë vazhdoi me diskutime edhe nga panelistët e tjerë, për t’u përmbyllur me diskutimin e hapur për të gjithë pjesëmarrësit.

Ligjërata ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i paraprirë shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Autorit, e cila sivjet organizohet nën moton ‘’Gratë në Inovacion dhe Kreativitet’’.