Në Fakultetin Juridik të UPHP-së, diskutohet për progresin dhe sfidat e sistemi Juridik në 10-vjetorin e Pavarësisë

Administrator Administrator 22 February 2018 Archived

Në Gjykatoren e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u mbajt seminari “Sistemi Juridik në 10 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës: progresi dhe sfidat”, ku u trajtua progresi dhe sfidat në sistemin juridik në Kosovë në këto 10 vite të ekzistimit të shtetit nga prizmi praktik dhe ai shkencor.

Në këtë takim ku prezent ishte edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, pjesë e panelit të diskutimit ishin: Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, z. Abelard Tahiri, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës z. Enver Peci, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj, si dhe prof. dr. Arsim Bajrami. Ndërkaq audienca përbehej nga profesorë, staf akademik dhe administrativ, si dhe studentë të UPHP-së.

Rektori Dema në fjalën përshëndetëse të tij përgëzoi Fakultetit Juridik dhe pjesëmarrësit në panel për iniciativën e organizimit të këtij Seminari. Rektori Dema zgjeroi problematiken e diskutimit edhe në nivelin e menaxhimit të Universitetit të Prishtinës, duke rrëfyer sfidat e drejtësisë që ka hasur gjatë punës së tij, derisa theksoi që për t’i eliminuar këto sfida në UPHP janë implementuar standarde të barabarta për të gjithë dhe po aplikohen në të gjitha fushat e funksionimit të këtij institucioni.

Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, i cili ishte pjesë e panelit me temën “Sistemi i Drejtësisë në Kosovë - ndryshimet aktuale”, tha se që nga ardhja e tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë asnjëherë nuk ka qenë në një takim më të rëndësishëm sesa në këtë takim në vendin e dijes, në mesin e profesorëve të Universitetit të Prishtinës.

Ndërkaq, në fjalën hapëse të Seminarit, dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Haxhi Gashi foli për sistemin juridik në vend, por edhe për kontributin e Fakultetit Juridik në këtë sistem. “Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës është sponsori më i madh i juristëve të vendit tonë” tha dekani. Gashi ftoi të gjitha institucionet që të kontribuojnë në drejtësi dhe sundim të ligjit.

Takimi vazhdoi tutje me diskutimet nga penalistët e tjerë, për t’u përmbyllur me një diskutim të hapur për të gjithë pjesëmarrësit.