Në 49-vjetorin e themelimit të UP-së, nënshkruhet deklarata e përbashkët e universiteteve publike shqiptare

Në 49-vjetorin e themelimit të UP-së, nënshkruhet deklarata e përbashkët e universiteteve publike shqiptare

Administrator Administrator 15 February 2019 Archived

Në 49-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është organizuar konferenca e rektorëve të universiteteve publike shqiptare e titulluar “Arsimi i lartë shqiptar dhe ballafaqimi me të ardhmen”.

Në këtë konferencë morën pjesë rektorë dhe zëvendësrektorë nga universitetet publike shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Pjesëmarrësit në këtë takim analizuan zhvillimet historike dhe aktuale në arsimin e lartë shqiptar, duke u pajtuar së bashku për të institucionalizuar këtë konferencë dhe për bashkëpunim më të ngushtë në vazhdimësi, me synim avancimin e arsimit të lartë në hapësirat shqiptare.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i falënderoi rektorët që i janë përgjigjur ftesës për të qenë së bashku në këtë përvjetor të rëndësishëm për universitetin, Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.
“Duke pasur parasysh rolin që Universiteti i Prishtinës ka pasur që nga themelimi i tij për kombin shqiptar, ju ftoj të gjithë juve që të punojmë bashkërisht që arsimi të jetë prioritet kombëtar. Le të punojmë së bashku për një arsim sa më cilësor, i cili do të jetë në shërbim të shoqërisë sonë dhe baza kryesore për zhvillim të kombit,” tha Dema në fjalën e tij.

Punimet e kësaj konference i përshëndeten rektorët mysafirë, të cilët e falënderuan universitetin nikoqir për iniciativën. Ata e uruan Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për përvjetorin dhe të arriturat e tij, duke konstatuar që UP-ja aktualisht është në stadin më të mirë që nga themelimi i tij.

Rektorët, gjatë këtij takimi, shtruan problematikat e mungesës së autonomisë në universitetet publike, gjendjes konservative në këto institucione, mungesës së standardeve si dhe mungesës së iniciativës institucionale për kërkime shkencore. Të pranishmit u zotuan për të punuar fuqimisht drejt rritjes së cilësisë, zgjerimit të lirisë akademike, krijimit të standardeve, përmirësimit të shërbimeve për studentë, përballimit të sfidave teknologjike të kohës, reformimit të arsimit të lartë dhe objektivave të tjera, të përfshira në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar nga përfaqësuesit e universiteteve publike shqiptare.

Përfaqësuesit e universiteteve shtruan edhe idenë e krijimit të një fondi të përbashkët të universiteteve shqiptare, i cili do të mundësonte shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik ndërmjet tyre.

Rektorët u dakorduan që takimet e universiteteve publike shqiptare të jenë takime periodike.