Në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta, UP përkujton ish-rektorin Ejup Statovcin

Administrator Administrator 19 October 2019 Archived

Jeta dhe vepra e ish – rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” prof. dr. Ejup Statovcit është përkujtuar sot në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta, përmes një ore përkujtimore të organizuar nga Parlamenti Studentor i UP-së.

Duke e konsideruar si njërin ndër personalitetet më të rëndësishme të universitetit, prorektorja prof. dr. Myrvete Badivuku tha se vepra e tij do të mbetet përherë e gjallë.

“Figurat si profesori Statovci janë nga ato për të cilat historia ruan faqe të veçanta nderi për to. Për të gjithë ata qe patën rastin ta njohin, profesor Statovci paraqiste figurën e një intelektuali, i cili jo vetëm që ndante dijen e tij për studentët, por i ishte pranë atyre, universitetit dhe gjithë popullatës, duke i prirë kështu ndryshimeve më të nevojshme dhe më pozitive që ndodhen në vendin tonë, pikërisht në kohërat më të vështira”, tha prorektorja.

Punën e tij e përkujtoi edhe bashkëpunëtori i tij, dekani i Fakultetit Filozofik prof. dr. Bujar Dugolli, i cili tha se qasja që e aplikoi Statovci për të kundërshtuar okupimin serb ishte qasje e re.

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe prof. dr Abdulla Aliu, i cili tha se ish - rektori u angazhua gjithmonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Punën e ish- rektorit e vlerësuan lartë edhe studentët, në emër të së cilëve foli kryetari i PS-së, Edon Nishori.

Pas orës përkujtimore u bën homazhe pranë varrit të ish - rektorit Statovci.

Prof. dr. Ejup Statovci ishte profesor në Fakultetin Juridik të UP-së dhe Rektor i Universitetit të Prishtinës prej vitit 1991 e deri më 1997.