Me mbledhje komemorative përkujtohet jeta dhe vepra e profesorit Skënder Sylaj

Administrator Administrator 6 February 2020 Archived

Jeta dhe vepra e profesorit Skënder Sylaj u përkujtua me anë të një mbledhje komemorative të mbajtur sot në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, në fjalën e tij duke kujtuar vlerat e profesorit u shprehu ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe studentëve të profesorit të ndjerë.

“Të flasësh për një profesor si profesori Skënder Sylaj është e vështirë, e aq më pak të ia themi fjalën lamtumirëse. Është e vështirë ta pranojmë faktin që profesorin nuk e kemi më në mesin tonë, që studentët nuk do të kenë rastin të përfitojnë këshilla e sugjerime nga përvoja e tij e as universiteti nuk do të ketë më punime të shkëlqyera nga pena e tij”, tha rektori Dema.

Kontributin e profesorit Sylaj e përkujtoi dr. sc. Zeqir Veselaj, i cili edhe ishte recensent i librit të të ndjerit.

“Duke qenë se tërë jetën ishte pjesë e sistemit të edukimit të këtij shteti që sot e kemi, vazhdimisht thoshte se mësuesit duhet t’i pajisnim me edukatën mjedisore nëse doni të shihni ndryshime”, shtoi ai gjersa kujtonte profesorin e ndjerë.

Mr. sc. Skënder Sylaj ishte pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Edukimit, detyrë të cilën e kreu me nder dhe përkushtim.