ME MBLEDHJE KOMEMORATIVE, KUJTOHET JETA DHE VEPRA E PROFESORESHËS MANDUSHE BERISHA
Fakulteti i Shkencave Matematike - Natyrore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar ceremoni komemorative për t’i dhënë lamtumiren profesoreshës Mandushe Berisha. Salla e Kuqe në UP mblodhi familjarë, kolegë, miq e studentë të mësimdhënëses Berisha, të cilët, me mbledhje komemorative, e kanë kujtuar jetën dhe veprën e profesoreshës së ndjerë.
Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, shprehu ngushëllime për familjarët, kolegët dhe studentët e profesoreshës Berisha, teksa theksoi se Berisha dhe familja e saj dhanë një kontribut të madh për universitetin dhe shkencën në vendin tonë.
“Ndonëse profesoresha Mandushe u nda fizikisht nga kjo jetë, figurat si ajo janë të përjetshme dhe shërbejnë si frymëzim për gjenerata me radhë. Prof. Mandushe dhe familja e saj dhanë shumë për këtë tempull të dijes dhe edhe sot, vazhdojnë të jenë në bazën e këtij institucioni”, tha rektori Dema.
Për ta kujtuar jetën dhe veprën e profesoreshës Berisha, me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci, i cili tha se prof. Berisha la shenja të pashlyeshme në shkencë.
Në emër të familjes Berisha, pjesëmarrësve, me fjalë rasti, iu drejtua vajza e profesoreshës, ass. dr. Venera Berisha – Muharremi. Ndërkaq, në emër të fakultetit, e mori fjalën dekani i FSHMN-së, prof. dr. Tahir Arbneshi, kurse për biografinë e saj në këtë ceremoni mortore foli kolegu nga Departamenti i Kimisë, njëherësh shefi i këtij departamenti, prof. dr. Ismet Hashani.
Profesoresha Mandushe Berisha ka qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës për katër dekada si ligjëruese në Departamentin e Kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore. Berisha njëherësh ishte gruaja e parë kosovare, e cila mori titullin doktor shkence, e mentoruar nga akademik Nexhat Daci.