Me mbledhje komemorative, kujtohet jeta dhe vepra e profesor Ilir Limanit

Administrator Administrator 14 October 2019 Archived

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (FIEK) ka organizuar ceremoni komemorative, për t’ia dhënë lamtumirën profesor Ilir Limanit. Në amfiteatrin e këtij fakulteti, u mblodhën familjarë, kolegë, miq e studentë të profesor Limanit, të cilët, me këtë ceremoni, e kujtuan jetën dhe veprën e tij.

Me këtë rast, dekani i FIEK-ut, prof. dr. Enver Hamiti, shprehu ngushëllime për familjarët, kolegët dhe studentët e profesorit, duke theksuar se profesori Limani është shembulli më i mirë i angazhimit të një profesori.

“Unë dhe të gjithë që patëm fatin të ishim studentë të profesorit, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij për shumë vite do të vazhdojmë të jetojmë me shembullin e përkushtimit të tij në ruajtjen e vlerave profesionale dhe në veçanti atyre akademike”, tha dekani.

Duke kujtuar veprimtarinë e tij, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, tha se menaxhmenti i këtij universiteti është krenar që pati një profesor të tillë.

“Njëherësh, si koleg i tij, theksoj që kolegët e universitetit, në veçanti studentët e tij, do të jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij akademik. Ai përherë do të mbahet në mend si njeri me personalitet të matur, me etikë akademike dhe profesionale, si dhe do të kujtohet si shembull për gjeneratat e reja”, theksoi rektori.

Për ta kujtuar jetën dhe veprën e profesor Limanit, në këtë ceremoni mortore, kolegu, dr. sc. Lavdim Kurtaj, rrëfeu për biografinë e tij të pasur.

Ndërsa, në emër të familjes Limani, të pranishmëve iu drejtua vajza e profesorit, e cila i falënderoi të gjithë për prezencën në këtë akademi komemorative dhe për mbështetjen e dhënë.

Prof. dr. Ilir Limani ka kontribuar në mësimdhënie në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike që nga viti 1979, fillimisht si ligjërues, pastaj profesor asistent, profesor i asociuar, e në vitet e fundit si profesor i rregullt, duke kaluar kështu të gjitha stadet akademike në kuadër të UP-së.