Mbrojtja e mjedisit është tema kryesore e edicionit të sivjetmë të shkollës dimërore të BE-së

Administrator Administrator 3 February 2020 Archived

Shkolla Dimërore e Bashkimit Evropian, e organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Shoqata e të Diplomuarve e Skemës së Profesionistëve, po mban edicionin e shtatë të saj, në të cilin do të diskutohet për mbrojtjen e mjedisit.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. ass. dr. Dashamir Bërxulli, tha se është shumë e rëndësishme që sot të diskutohet për mjedisin dhe se kjo shkollë ka një rëndësi të veçantë për Prishtinën.
“Kjo shkollë është e mirë sepse e ka vetëm Universiteti i Prishtinës dhe nuk e kanë të gjitha shkollat e Kosovës. Të gjithë ata që vijnë duhet të jenë të gatshëm të përballen edhe me sfidat lidhur me mjedisin dhe t’i paraqesin pakënaqësitë e tyre”, tha prorektori.

Mikaela Gronqvist, nga zyra e BE-së në Kosovë, tha se ky edicion është i shtati me radhë. Ajo shtoi se kjo shkollë ka rëndësi të madhe edhe për ekonominë e vendit.

Mimozë Veliu, nga Shoqata e të Diplomuarve e Skemës së Profesionistëve, tha se për herë të parë në këtë shkollë po diskutohet për mjedisin.
“Tashmë shkolla dimërore është bërë tradicionale dhe për herë të parë është fokusuar në mbrojtje të mjedisit dhe do të ketë ligjërata 4 ditë rreth sfidave me të cilat përballet Kosova në këtë fushë”, theksoi ajo.

Shkolla dimërore, e nisur sot, do të zgjasë deri më 6 shkurt, në të cilën ligjëratat do të fokusohen në dy rryma kryesore: aspektet ligjore të mbrojtjes së mjedisit në BE dhe implikimet kryesore politike të politikës mjedisore të BE-së, si dhe sfidat më relevante politike dhe juridike të mbrojtjes së mjedisit në Kosovë: Rastet dhe zgjidhjet.