Mbahet Konferenca Përfundimtare e Projektit “Modernizimi i Përgatitjes së Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës”

Administrator Administrator 22 November 2017 Archived

Në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u mbajt konferenca përfundimtare e projektit "Modernizimi i Përgatitjes së Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës", për të kurorëzuar kështu punën katër vjeçare të këtij projekti në fushat e reformimit të programeve mësimore, trajnimit të personelit të Fakultetit të Edukimit në hulumtime dhe metoda të mësimdhënies, përmirësim të infrastrukturës së këtij Fakulteti dhe shumë aktivitete të tjera.

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i cili u uroi mirëseardhje të pranishmëve, dhe u foli tutje për rëndësinë e një aktiviteti të tillë për UP-në dhe shoqërinë në përgjithësi.

Ky projekt është i një rëndësie të veçantë për UP-në për faktin që Fakulteti i Edukimit i këtij Universiteti është pikërisht katedra nga ku dalin pjesa dërrmuese e mësimdhënësve të fëmijëve tanë. Rrjedhimisht, modernizimi i teknikave të ligjërimit si dhe krijimi i një ambienti sa më bashkëkohor të mësimdhënies në Kosovë, është një domosdoshmëri për t’u siguruar fëmijëve tanë mësimdhënie më cilësore dhe një të ardhme sa më të ndritur”, tha Dema.

Punimet e Konferencës i përshëndeti edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi. Ministri Bytyqi me këtë rast ka përgëzuar stafin dhe profesorët e Fakultetit të Edukimit  për implementim të suksesshëm të këtij projekti, i cili padyshim do të ketë efektin e duhur në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Për rrjedhojën e këtij projekti dhe rëndësinë e tij, para të pranishmëve fjalë rasti mbajti edhe dekani i Fakultetit të Edukimit, z. Ethem Ceku.

Tutje konferenca u përcoll me dy sesione të diskutimit, ku u fol për perspektivën e partneritetit në Bashkimin Evropian, si dhe për të ardhmen e reformimit të përgatitjes së mësimdhënësve në Kosovë.

Konferenca kishte mbi 130 pjesëmarrës dhe përfundoi me certifikimin e 300 mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë - si mësimdhënës mentorë për studentët e Fakultetit të Edukimit, trajnim ky që u realizua në kuadër të Projektit. 

Konferenca përfundimtare e projektit Tempus "Modernizimi i Përgatitjes së Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës" u financua nga BE dhe implementua nga Fakulteti i Edukimit në partneritet me Universitetin e Lubjanës, Universitetin JAMK në Finlandë, Universitetin e Bolonjës dhe Universitetin Bedfordshire në Britaninë e Madhe.