MBAHET KONFERENCA PËR KRIJIMIN E PARTNERITETIT PËR NDRYSHIME POZITIVE SOCIALE NË KOSOVË
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe UNICEF-i kanë organizuar konferencë njëditore mbi “Ndërtimin e Partneritetit për Ndryshime Pozitive Sociale në Kosovë”. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues nga universitetet publike dhe kolegjet private, studentë dhe akterë të tjerë të arsimit të lartë në vend.
Të pranishmëve në këtë takim, i pari iu është drejtuar me fjalë rasti rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Ai tha që me anë të kësaj konference, UP-ja dhe UNICEF-i synojnë t’i hapin rrugët që të gjithë përfaqësuesit e arsimit të lartë të miratojnë qasje për t’i lidhur akademinë, shkencën, kërkimin dhe shërbimet profesionale me komunitetin, për të arritur kështu ndryshime pozitive në shoqërinë tonë.
Rektori Dema foli për rëndësinë e punës vullnetare, të cilën e konsideroi vlerë të jashtëzakonshme, teksa tha që në punën e tij si drejtues i UP-së, ai udhëhiqet nga vlerat, si: integriteti, transparenca, barazia, llogaridhënia, sinqeriteti dhe përgjegjësia për komunitetin.
“Si menaxhment i Universitetit të Prishtinës, ne jemi duke punuar fuqishëm në transformimin e këtij institucioni, sepse unë besoj se Universiteti i Prishtinës është Kosova dhe pa ndryshim të Universitetit të Prishtinës, nuk ka ndryshim në Kosovë,” tha Dema.

Te pranishmëve, me fjalë rasti, iu drejtua edhe shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin.
“Kjo konferencë na ofron mundësi që ne si UNICEF, se bashku me institucionet e arsimit të lartë, t’i eksplorojmë mundësitë e lidhjes se universiteteve dhe studentëve, drejt objektives për të arritur ndryshime shoqërore, si dhe të krijojmë zgjidhje për nevojat e komunitetit, sepse ka shumë më shumë mundësi që universitetet publike dhe private të lidhen së bashku dhe të punojnë më tepër në këtë drejtim,” tha z. Sahini.

Konferenca ka vazhduar me prezantimin e z. James Mugaju, zëvendësshef i UNICEF-it në Kosovë, me temën “Lidhja e akademisë me veprim në komunitet si një forcë shtytëse për ndryshime sociale”. Mugaju diskutoi për punën e përbashkët që mund të bëhet nga institucionet e arsimit të lartë, për t’i mbështetur aktivitetet e komunitetit për fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, si dhe shtroi për diskutim pyetjen se a janë studentët të informuar mjaftueshëm lidhur me përfitimet e punës vullnetare, teksa u diskutua edhe për mënyrat e përfshirjes së studentëve në punë vullnetare.
Ndërkaq, prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj–Berisha, prezantoi para të pranishmëve informacione për lidhjen e të mësuarit, mësimdhënies dhe punësimit të të rinjve në Universitetin e Prishtinës. Ajo foli për potencialin e UP-së në këtë drejtim, teksa i informoi pjesëmarrësit lidhur me punën që po e bën UP-ja që, përmes qendrave të ndryshme në përbërje të tij, të ofrojë shërbime për studentët dhe komunitetin.
Në fund të kësaj konference, znj. Edona Zogu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në kompaninë Ipko, foli për lidhjen e sektorit privat me komunitetin.
Në këtë konferencë u tha që gjithsej 110,137 studentë janë duke e vijuar arsimin terciar në Kosovë. Nga numri i përgjithshëm i të gjithë studentëve që e vijojnë arsimin terciar, 64 përqind i vijojnë universitetet publike dhe 36 përqind i vijojnë kolegjet private. Po ashtu, të pranishmit u informuan që universitetet, kolegjet dhe UNICEF-i do ta zhvillojnë një plan për promovimin e vullnetarizmit dhe do t’i angazhojnë vullnetarë për rritjen e veprimeve në komunitet.