Mbahet ceremonia e hapjes zyrtare të Programit të Punës Praktike “BPB Juniors II”
Nga bashkëpunimi i Bankës për Biznes dhe Qendrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në datën 1 shkurt 2019, në hapësirat e sallës së Konferencave në hotelin Sirius në Prishtinë, u lansua gjenerata e dytë e praktikantëve në programin “BPB Juniors II”, procesin rektrutues të së cilës e ka lehtësuar QZhK-ja. Kjo gjeneratë ka gjithsej 24 praktikantë, tetëmbëdhjetë prej të cilëve janë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Programi i Punës Praktike “BPB Juniors II” ka filluar më 4 shkurt 2019 dhe pritet të përfundojë më 3 maj 2019. Në këtë Program të Punës Praktike, studentët zhvillojnë shkathtësitë e tyre në lëmin bankar, atë menaxhues dhe PR - Marketing.
Photo 1
Banka për Biznes (BPB) ka lansuar programin “Juniors 2” në praninë e prof. asoc. dr. Merita Koçinaj-Berisha - prorektore për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", prof. dr. Edmond Hajrizi – rektor në UBT, prof dr. Bardha Qirezi – rektore në Riinvest dhe prof. dr. Arton Celina - kryeshef Ekzekutiv – BPB Bank.
Të ftuarit i përshëndeti Anita Kosumi-Ajeti, udhëheqëse e Burimeve Njerëzore në BPB, e cila tha se një program i tillë do të bëhet në vazhdimësi edhe viteve tjera, në mënyrë që studentët që i qasen tregut të jenë të përgatitur.
“Ne e kemi nisur idenë për rekrutim të kandidatëve tanë vitin e kaluar. Prej gjeneratës së kaluar, 8 kandidatë janë të punësuar në bankën tonë, në departamente të ndryshme. Kemi bashkëpunim me të gjitha universitetet dhe shpresojmë që një praktikë e tillë të jetë e suksesshme edhe në të ardhmen”, tha ajo.
Foto 2
Arton Celina, kryeshef Ekzekutiv i Bankës për Biznes, tha se detyrë e tyre primare është që t’u japin universiteteve shtegun e saktë se çka kërkon tregu.
“Vitin e kaluar, ne kemi eksperimentuar me këtë program. E kemi lansuar këtë program për shumë arsye. Si institucion bankar, ne jemi nisur nga fakti se gjetja e stafit të kualifikuar është problem për të gjitha industritë dhe numri i madh i të papunëve na ka nxitur të merremi me këtë problem. Kjo ka qenë pozitive edhe për ne edhe për universitetin. Detyra jonë primare është që t’u japim universiteteve shtegun e saktë se çka kërkojmë”, tha Celina.
“Në këtë bashkëpunim, universitetet do të prodhojnë saktësisht atë se çka ne kërkojmë. Ne e kemi bërë kurrikulën tonë, që në fund rezulton të na japin produktin që e kërkojmë. Sot jemi të ekspozuar ndaj ndryshimeve të mëdha teknologjike, pra, çështja e ‘life long lerning’ është bërë pjesë e jetës sonë. Shpresoj që vitin e ardhshëm numri 8 të bëhet 16”, shtoi Celina.
Foto 3
Prof. asoc. dr. Merita Koqinaj-Berisha, prorektore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, tha se bashkëpunimet e tilla, siç është ai me Bankën për Biznes, iu ndihmojnë universiteteve dhe studentëve që të jenë të gatshëm për tregun e punës.
“Ky program është i rëndësishëm edhe për ne si UP sepse përfitojnë shumë studentët tanë. Janë krijuar ura të bashkëpunimit mes organizatave ndërkombëtare dhe vendore për t’i mbështetur objektivat e universitetit. Zyra për Zhvillim të Karrierës është një aset i rëndësishëm për UP-në. Ajo kontribuon që studentët, gjatë studimeve, të përfitojnë shkathtësi shtesë”, tha ajo.
Foto 4
Argjenta Islami, studente e Fakultetit Ekonomik, Departamenti: Banka, Financa dhe Kontabilitet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, pjesë e programit “BPB Juniors 1”, ka ndarë me të pranishmit përvojën e saj, duke i falënderuar këta të fundit për mundësinë e dhënë.
“Unë sot po flas para jush për një përvojë të rëndësishme. Nuk po e cilësoj si të tillë vetëm pse e gëzoj statusin si e punësuar, mirëpo pse gjatë kësaj kohe kam mësuar shumë nga njerëz që kanë përvojë me dekada. Neve na ligjëruan dhe u trajnuam nga profesionistë të fushës së bankingut. Të jesh pjesë e ‘BPB Juniors’ do të thotë të prekesh tregun e industrisë”, tha ajo.
Dea Peja, kandidate nga “BPB Juniors 2”, tha se nga ky program do të dalin të përgatitur profesionalisht.
“Besoj dhe shpresoj që ky program do të na përgatitë profesionalisht. Unë jam e bindur që ky program do të na mbushë bagazhin. Shpresoj që secili nga ne ta shfrytëzojë këtë mundësi”, tha ajo.
Foto 5