Lansohet projekti “Mbështetje për Drejtësinë Tranzicionale” në UP
Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, u lansua projekti “Mbështetje për Drejtësinë Tranzicionale”, në kuadër të Qendrës për Drejtësi Tranzicionale në UP.
Projekti “Mbështetje për Drejtësinë Tranzicionale” është program universitar, i cili përmes edukimit, synon forcimin e rolit të Universitetit të Prishtinës në ndërtimin e paqes dhe pajtimin e komunitetit.
Lansimin e këtij projekti e përshëndeti rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema. Ai e përgëzoi Qendrën për Drejtësi Tranzicionale për punën e bërë, teksa theksoi që një projekt i tillë dhe vetë Qendra për Drejtësi Tranzicionale janë shumë të nevojshme për mirëqenien dhe ndryshimin e perspektivave në komunitetin tonë. Dema foli edhe për rëndësinë që një projekt i tillë do të ketë në ndërkombëtarizimin e universitetit, objektiv në të cilin, sipas tij, universiteti ka lulëzuar në vitet e fundit.
Për lansimin e këtij projekti, i lumtur u shpreh edhe dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Haxhi Gashi. Ai e falënderoi rektorin Dema për mbështetjen e vazhdueshme që ia ka dhënë fakultetit për realizimin e Qendrës dhe projekteve të tilla, nga të cilat përfituesit më të mëdhenj janë studentët.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe ish-presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga. Ajo tha që Universiteti i Prishtinës, përgjatë historisë, ka luajtur rol kyç në shtetndërtimin e Kosovës, teksa tha që një projekt i tillë po ndodh në kohë të mira për vendin, pikërisht para përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Lansimin e projektit “Mbështetje për Drejtësi Tranzicionale” e përgëzoi edhe ambasadori i Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Kosovë, z. Per Strand Sjaastad. Ai tha që UP-ja ka potencialin e duhur për krjimin e paqes në komunitet, teksa ka edhe mundesitë dhe njohuritë e duhura që të krijojë politika për qeverisjen.
Projekti ''Mbështetje për Drejtësinë Tranzicionale” mbeshtetet nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze dhe implementohet në bashkëpunim me Community Building Mitrovica (CBM).
Aktivitetet kryesore të projektit përfshijnë: implementimin e kursit zgjedhor mbi temën e drejtësisë tranzicionale në UP, realizimin e vizitave studimore për studentët në rajon, zhvillimin e programit MA të studimit në të drejtat e njeriut, paqendërtimit dhe drejtësisë tranzicionale, punë praktike, e të tjera aktivitete.
Eventi ka pasuar me ligjëratat e përgatitura në kuadër të sesionit “Universiteti dhe Bashkëpunimi me Shoqërinë Civile në 'Drejtësia Tranzicionale: Përvojat dhe perspektivat’”.