Lansohet në shqip libri “Metodologjia e hulumtimit” e Ranjit Kumar

Administrator Administrator 18 December 2017 Archived

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjeter Bogdani”, u lansua përkthimi i librit “Metodologjia e hulumtimit” e Ranjit Kumar. Ky libër jashtëzakonisht i dobishëm për studentët dhe hulumtuesit e rinj, por edhe për profesorët, u përkthye me mbështetje nga Programi i Lidershipit Transformues – Bursa dhe Partneritete i USAID-it, nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti i Indianes.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur me faktin që një libër i kalibrit të tillë po i shtohet rafteve të bibliotekave të UP-së.

““Hulumtim do të thotë krijim i njohurive të reja” thoshte Neil Armstrong. Me përkthimin në shqip të librit “Metodologjia e Hulumtimit”  të Ranjit Kumar, po krijohet një shans më i madh për  studentët tanë në krijimin e njohurive të reja, objektivë e cila përkufizohet edhe në vetë misionin e Universitetit të Prishtinës.”, tha Dema.

Fjalë rasti para të pranishmëve, me shkas lansimin e përkthimit të këtij libri, mbajti edhe dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, prof. dr. Ethem Çeku. Ai përveç që e vlerësoi si jashtëzakonisht të nevojshme përmbajtjen e këtij libri, falënderoi edhe donatorët nga USAID-i, dhe bashkëpunëtorët nga Universiteti i Indianes për ndihmën e dhënë në nxjerrjen në dritë të librit “Metodologjia e Hulumtimit”.

Ndërkaq, prof. dr. Evan Mickey nga Universiteti i Indianes tha që gjatë përkthimit të këtij libri është bërë një punë e jashtëzakonshme në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të UP-së, përderisa shpreson që studentët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi unike për të përfituar nga ky libër që iu është servuar në gjuhën ëmë.

Përmbajtjen e librit dhe punën drejt realizimit të tij e vlerësoi lartë edhe Paul Vaca nga USAID-i, i cili po ashtu shpreson që ky libër do të lehtësoj hulumtimin për studentët e UP-së.

Libri i Ranjit Kumar është libër esencial i dizajnuar për të gjithë hulumtuesit e rinj, të cilët dëshirojnë të fillojnë një projekt hulumtues. Libri ofron këshilla praktike për formulimin pyetjes kërkimore, konsideratat etike, kryerjen e rishikimit të literaturës, zgjedhjen e një projekti kërkimi, zgjedhjen e mostrave dhe mbledhjen dhe analizimin e të dhënave cilësore dhe sasiore.