Komunikatë për ndihmë qytetarëve të Shqipërisë nga Universiteti i Prishtinës
Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ ka ndjekur me kujdes ngjarjet në Shqipëri lidhur me tërmetin e ndodhur atje. Edhe njëherë, studentët, stafi administrativ dhe akademik, si dhe menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës bashkëndjenë me vëllezërit dhe motrat në Republikën e Shqipërisë në këto ditë të vështira për kombin tonë.
Njëkohësisht, Universiteti i Prishtinës është i gatshëm të ofrojë resurset e tij humane dhe ekspertizën përkatëse karshi situatës:
- Ekspertizë në vlerësimin e statikës dhe aspekteve të tjera të sigurisë së objekteve;
- Ekspertizë për shëndetin dhe shëndetin mendor të popullatës;
- Ekspertizë për çështje të ndërlidhura me inxhinierinë elektrike;
- Ekspertizë tjetër sipas nevojës.
Universiteti i Prishtinës është i gatshëm po ashtu të ofrojë ndihmë financiare për të prekurit nga tërmeti. Për këtë arsye, ka nisur një iniciativë për mbledhjen e mjeteve financiare nga personeli i UP-së.
Në takimin e Prof. Dr. Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës me SH.T. Qemal Minxhozi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, në ambasadën përkatëse në Prishtinë, me kërkesë të këtij të fundit, Universiteti i Prishtinës do të:
- Funksionojë si qendër e grumbullimit të ndihmave në Prishtinë, duke vënë në dispozicion hapësirat e tij dhe studentët vullnetarë;
- Dërgojë studentë vullnetarë në Prizren, të cilët do t’i bashkëngjiten FSK-së në qendrën grumbulluese në Prizren.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të vazhdojë të mbajë kontakt me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës dhe me autoritetet shqiptare për të qenë vazhdimisht në dispozicion.
Njoftojmë të gjithë qytetarët e Prishtinës, të cilët janë të interesuar për të ofruar ndihmë me ushqime, veshmbathje dhe mbulesa (batanije), për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri, me kërkesë të SH.T. Qemal Minxhozi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, në ambasadën përkatëse në Prishtinë, pika e grumbullimit të ndihmave do të jetë Salla e Kuqe në Fakultetin e Filologjisë, ku më pastaj ndihmat do të transferohen në pikën qendrore grumbulluese të FSK-së në qytetin e Prizrenit, dhe më pas të njëjtat do të dërgohen tek familjet dhe qytetarët me nevojë. Orari i grumbullimit të donacioneve do të jetë prej orës 09:00 deri në ora 17:00.
