KOMUNIKATË PËR MEDIE E KËSHILLIT DREJTUES TË UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS
Universitetit i Prishtinës është institucion me madh i arsimit të lartë në Kosovë. Pavarësia e tij sigurohet përmes mekanizmave funksionale siç është Këshilli Drejtues, Senati dhe Menaxhmenti. Këshilli Drejtues aktual i Universitetit të Prishtinës është konstituar me datë 24.10.2019 dhe është autoriteti kryesor qeverisës i Universitetit. Me marrjen e mandatit, KD aktual e ka parë të arsyeshme qe të skanoj gjendjen e përgjithshme në Universitet, duke identifikuar të gjitha dobësitë eventuale rreth funksionimit të kontrollit të brendshëm, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies menaxheriale dhe plotësimin e kuadrit ligjor. Në përgjigje të këtyre veprimeve, janë marrë vendime, aprovuar pika të rëndësishme të veprimit dhe janë ofruar udhëzime konkrete, të cilat po mundësojnë përditë një ambient më të mirë të kontrollit të brendshëm, me rritje të transparencës dhe llogaridhënies në përgjithësi, e të shpenzimeve të parasë publike në veçanti. Prandaj, ne si KD sqarojmë të gjitha palët e interesuara se, veçse janë duke u adresuar një numër i konsiderueshëm i dobësive të identifikuara dhe për të njëjtat, ftojmë të interesuarit qe të monitorojnë dhe shikojnë për së afërmi punët dhe veprimet që janë ndërmarr deri më tani në KD. Për me tepër, është krijuar një mekanizëm që mundëson përcjelljen e progresit të vendimeve të marra, ku monitorimi i zbatimit të vendimeve të KD-së, bëhet në intervale të rregullta kohore.
Së fundmi, siç jeni njoftuar edhe ju nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues ka dhënë dorëheqja znj. Laura Kryeziu. Ajo përmes një shkrese të deponuar në UP në adresë të rektorit, pretendon për një numër të shkeljeve të kenë ndodhur në të kaluarën në Universitet. Në mbledhjen e mbajtur me datë 27.02.2020, ky shqetësim i është paraqitur edhe Këshillit Drejtues për diskutim nga Rektori i UP-së, andaj edhe marrim shkas të sqarojmë gjithë personelin e UP-së dhe opinionin publik se të gjitha çështjet e theksuara në atë shkresë të cilat janë nën kompetencën e KD-së, ka kohë që janë adresuar në këtë organ vendimmarrës, dhe veçse jemi në monitorim të Menaxhmentit të UP-së që sipas progresit të arritur, do të ndërmerren masa konkrete në përpurthje me dispozitat ligjore.
Sidoqoftë, shkresa e drejtuar për rektorin e UP-së ka të bëjë me pretendime për shkelje të bëra nga sekretari i UP-së në periudhën e kaluar, por, për shkak të kufizimit që të merremi me shkeljet e pretenduara, meqë përveç shkresës nuk posedojmë prova relevante të cilat argumentojnë atë që është thënë në atë letër, pastaj duke konsideruar faktin se KD nuk ka kompetencë për suspendimin apo shkarkimin eventual nga puna të personelit, duke e njohur gjendjen reale që mbizotëron në Universitet dhe me qëllim të krijimit të një opinioni sa më të pavarur rreth pretendimeve të ngritura, Këshilli Drejtues me sugjerimin edhe të rektori pret që në afatin sa më të shkurtër kohor, të zhvillohet një auditim i brendshëm i jashtëzakonshëm me qëllim të ofrimit të një vlerësimi të pavarur dhe të plotë për pretendimet e ngritura. Në varësi të të gjeturave të auditorit si dhe fakteve të argumentuara me prova konkrete, Këshilli Drejtues nuk do të mbetet indiferent ndaj asnjë shkelje që konstatohet nga organet kompetente, dhe do të veproj dhe të marrë masa konkrete në përpurthje me mandatin dhe përgjegjësitë e dhëna me Statut.
Këshilli e vlerëson punën e ish anëtares znj. Laura Kryeziu, megjithëse është i mendimit se ofrimi i dorëheqjes në këtë kohë, nuk i kontribuon punës kohezive dhe përkushtimit të sinqertë që ka Këshilli Drejtues i UP-së. Aq më tepër, dorëheqja nuk do duhej të kishte ndodhur tani, kur UP-ja ka hyrë në procesin zgjedhor në të gjitha nivelet, përfshirë zgjedhjet studentore, ato për Këshillat e Fakulteteve dhe Senat, si dhe për Menaxhmentin e ri të UP-së. Andaj, për ne si KD, arsyet e dorëheqjes të paraqitura në shkresën e dërguar mediave dhe ministres së MASHTI-t, nuk mund ti konsiderojmë plotësisht të sinqerta, duke konsideruar faktin se e njëjta ka qenë edhe kryesuese dhe anëtare e këtij këshilli që nga viti 2018. Por pavarësisht kësaj situate, dorëheqja nuk duhet të përdoret si shkas për të sulmuar Universitetin në një kontekst tjetër.
Pavarësisht kësaj, Këshilli Drejtues i UP-së inkurajon secilin që ka informacione për veprime të kundërligjshme të kujtdo qoftë brenda UP-së, të njëjtat t’i adresoj edhe në organet kompetente të hetuesisë.
Me respekt,
Këshilli Drejtues i UP-së
Prishtinë, 28.02.2020