Këshilli Drejtues i UP-së dhe ministri Bytyqi diskutojnë për infrastrukturën në UP
Sot, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, me ftesën e Kryetares së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, znj. Ardiana Bunjaku, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Në këtë takim u diskutua për nevojat emergjente për infrastrukturë në Universitetin e Prishtinës, me theks të veçantë te nevojat e ndërtimeve të objekteve të reja dhe riparimet e nevojshme në objektet aktuale të universitetit.
Këshilli Drejtues dhe menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës informuan ministrin Bytyqi me vështirësitë që po hasen në vazhdimësi në realizimin e objektivit për përmirësim të infrastrukturës. Në anën tjetër, ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë e MASHT-it për mbështetje në plotësimin e nevojave infrastrukturore dhe tejkalimin e vështirësive me të cilat po përballet UP-ja në këtë drejtim.
MASHT-i dhe UP-ja u dakorduan, që të punojnë së bashku intensivisht për zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.