Kadetët e FSK-së, njihen me historinë 50 vjeçare të Universitetit të Prishtinës

Administrator Administrator 18 February 2020 Archived

Rreth 30 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga Qendra e Studimeve Universitare, kanë vizituar ekspozitën "Mote universitare", e hapur për 50 - vjetorin e Universitetit të Prishtinës. Të ndarë në dy grupe me nga 15 kadetë dhe të shoqëruar nga tre instruktorë, ata janë shoqëruar nga autori dhe kuratori i kësaj ekspozite, Durim Abdullahu, i cili u ka bërë guidën përgjatë vitrinave ku janë ekspozuar eksponatet e kësaj ekspozite.

Për 30 minuta, ata janë njohur me historinë 50 vjeçare të Universitetit të Prishtinës, përmes fotografive, dokumenteve dhe relikeve të ekspozitës "Mote universitare", që po rri e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare "Pjetër Bogdani", që nga 13 shkurti. Kadetët e QSU-së, janë ndarë të habitur me historinë aq të ngjeshur të UP-së, të këtyre 50 vjetëve.

Në fund, ata janë përshëndetur edhe me Rektorin e UP-së prof. dr. Marjan Dema, me të cilin kanë biseduar për historinë e universitetit që ai drejton. Gjatë kësaj vizite, kadetët e FSK-së u inkurajuan, që më shumë prej tyre të vijojnë studimet në Universitetin e Prishtinës.