Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kanadasë, Lloyd Axworthy mbanë ligjëratë në UP
Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kanadasë, Lloyd Axworthy mbanë ligjëratë në UP Në Sallën e Senatit të Rektorati të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, Lloyd Axworthy mbajti ligjëratë. Axworthy konsiderohet si arkitekt i mbështetjes së Kanadasë për Kosovën, dhe mu për këtë ai para të pranishmëve mbajti ligjëratën me titull “Përgjegjësia për të mbrojtur”.
Para se të fillonte ligjërata, ishte i pari i UP-së, Rektori Marjan Dema i cili me fjalë përshëndetëse iu drejtua audiencës. Ai i kushtoi theks të veçantë kontributit të ish-ministrit Axworthy dhe shtetit mik kanadez, që Kosova të jetë sot e pavarur, sovrane dhe demokratike.
“Të ju kemi sot juve këtu, është një moment i veçantë për Universitetin e Prishtinës, sidomos duke pasur parasysh faktin që UP-ja synon të jetë një qendër e cila do të reflektojë vlerat e modernitetit në vend, dhe në të njëjtën kohë, të kontribuoj në regjion dhe botë me hulumtime dhe diskutime” tha Dema.

Një prapavijë të karrierës se Dr. Axworthy e dha për të pranishmit prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në UP, prof. ass. Teuta Pustina. Ajo njëherësh falënderoi Axworthyn për prezencën e tij, si dhe e informoi shkurtimisht me të arriturat e UP-së ndër vite.
Ndërkaq, Dr. Lloyd Axworthy tha që është i lumtur që gjendet sot në Universitetin e Prishtinës. Ai në ligjëratën e tij “Përgjegjësia për të mbrojtur” preku temën e mbrojtjes së Kosovës, duke u ndalur tek roli i tij në ngjarjet në Kosovë në vitin 1999. Lloyd tha që nuk ka qenë vendim i lehtë ndërhyrja në Kosovë, por me zhvillimin që ka parë në Kosovë pas kësaj vizite tani e ka kuptuar që kjo ndërhyrje ka qenë vendimi i duhur.

Mik të madh të Kosovës Axworthyn e quajti edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behxhet Pacolli, i cili e vlerësoi lartë kontributin e ish-ministrit të jashtëm kanadez në krijimin e Kosovës së pavarur.
Dr. Lloyd Axworthy është një personalitet shumë i respektuar në Kanada për arritjet e tij akademike e mbi të gjitha për arritjet profesionale, për të cilat është nderuar me titujt Dr. Honoris Causa nga 12 universitetet prestigjioze nga Kanada dhe jashtë saj. Axworthy u nderua me çmime ndërkombëtare edhe nga Këshilli i Evropës, si dhe në vitin 1997 ishte i nominuar për Çmimin Nobel për Paqe. Së fundi, ai ka marrë kryesimin e Këshillit Botëror të Refugjatëve, një organ i krijuar për të ofruar zgjidhje për problemet në sistemin aktual të refugjatëve.
