Informata, shoqërim, lojëra dhe muzikë në ditën e parë të studentëve të rinj në UP

Administrator Administrator 1 October 2018 Archived

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me një aktivitet madhështor, sot priti studentët e rinj. Në Ditën e Orientimit për Studentët e Rinj, ata patën rastin që nën ritmin e muzikës dhe në shoqërimin e lojërave të takojnë stafin e fakultetit ku janë regjistruar, të njoftohen me zyrat që operojnë brenda kampusit dhe të bëhen pjesë e shumë aktiviteteve dhe lojërave që janë organizuar për ditën e parë të tyre në Universitet.

I pari që iu adresua studentëve dhe të pranishmëve të tjerë në këtë ceremoni ishte rektori Marjan Dema. Rektori Dema u uroi atyre mirëseardhje të ngrohët në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, teksa u tha studentëve që përveç studimeve në drejtimet që kanë zgjedhur, në kampusin e Universitetit do të gjejnë edhe shumë qendra dhe zyre, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.

Ne fjalimin e tij, Dema me entuziazëm i informoi studentet për mundësitë që UP-ja ofron, ndërkaq i siguroi që ata tashmë janë pjesë e Universitetit lider, jo vetëm ne vend, por në gjithë hapësirën shqipfolëse.
“Ju keni në dorë fatin e kësaj shoqërie. Ju jeni mjekët e ardhshëm, mësuesit, juristët, gazetarët, studiuesit, filozofët, psikologët, sportistët, linguistët, matematikanët, shkencëtarët, ekonomistët, artistët e kësaj shoqërie. Andaj, mësoni, angazhohuni dhe mos u dorëzoni! Dhe gjatë këtij rrugëtimi, gëzohuni nga fakti që jeni pjesë e Universiteti të Prishtinës dhe baza kryesore e zhvillimit të vendit. Sepse, Universiteti i Prishtinës është Kosova dhe pa zhvillimin e Universitetit të Prishtinës, nuk ka zhvillim të Kosovës”, tha Dema.

Studentëve me fjalë rasti iu drejtua edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Heset Sahiti. Z. Sahiti, përveç që uroi studentët për fillimin e këtij rrugëtimi, ai tha që arsimi i lartë ka rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të shoqërisë. Zëvendësministri Sahiti theksoi që beson se me angazhimin profesional të secilit në detyrën e vet, do të kontribuohet në arritjen e rezultateve gjithnjë e më të mira për arsimin cilësor të gjeneratave të ardhshme.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila foli para studentëve si përfaqësuese nderi e AlumniUP. Në fjalën e saj, znj. Jahjaga e konsideroi investimin në edukimin e studentëve si investimin më të mirë për vendin. Ish-presidentja Jahjaga tha që edhe pse ka qenë e diplomuar nderi në disa universitete botërore, të jesh e diplomuar e Universitetit të Prishtinës dhe të marrësh pjesë në këtë ceremoni, qenka një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë.

Dita e Orientimit për Studentet e Rinj u organizua nga Universiteti i Prishtinës si aktivitet pritës për 6382 studentë që këtë vit janë regjistruar në UP. Në këtë aktivitet, i pari i ketij lloji, kanë marrë pjesë të gjitha njësitë akademike të UP-së dhe zyrat/qendrat të cilat kanë kontakt me studentët.

Dita Orientuese është organizuar nga Zyra e Rektorit dhe Qendra për Zhvillim të Karrierës në kuadër të UP-së , si dhe është mbështetur nga projekti Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships, që financohet nga USAID dhe Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe implementohet nga World Learning.