Inaugurohet Zyra për Hulumtime dhe Projekte të Sponsorizuara e UP-së

Administrator Administrator 5 June 2017 Archived

Në ambientet e Bibliotekës Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u bë sot hapja e Zyrës për Hulumtime dhe Projekte të Sponsorizuara në kuadër të Universiteti të Prishtinës.

Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema ishte i pari që iu drejtua audiencës së pranishme, e cila përbehej nga partnerët e UP-së, si dhe stafi akademik dhe administrativ i UP-së.

Njëra ndër pikat kryesore në Planin Strategjik aktual të UP-së është ngritja e cilësisë së hulumtimeve dhe kapaciteteve për thithje projektesh kërkimore të sponsorizuara. Ne i kemi vënë synim vetës gjenerimin e rezultateve më të mira të të mësuarit, të diplomuar më të përgatitur, më shumë hulumtime, më shumë bashkëpunime dhe partneritete, elemente të cilat rrjedhimisht do të ndikonin edhe në reputacionin e UP-së. Ky element i Planit tonë Strategjik është i pasuruar me hapa të qartë për arritje të këtyre synimeve, dhe realizimi i kësaj zyre është një hap i madh drejt fuqizimit të hulumtimeve në UP, rrjedhimisht edhe në Kosovë”, tha Rektori Dema. Ai u shpreh i lumtur që në emër të UP-së po përshëndet hapjen e kësaj zyre, e cila sipas tij do të mundësojë ngritje të mëtejme të cilësisë në këtë institucion gjigant.

Miranda Jolicoeur nga USAID - njëri ndër partnerët kryesorë të UP-së, po ashtu mbajti fjalë rasti në këtë event. Ajo u shpreh shumë e lumtur që po merr pjesë në këtë inaugurim. Në fjalën e saj, znj. Jolicoeur theksoi rolin e kësaj zyre, e cila sipas saj, do të jetë një mundësi e artë për edukimin e studentëve dhe ngritjen e cilësisë në UP.

Ndërkaq, në emër të Universitetit Shtetëror të Arizonës(ASU) , njëherësh njëri ndër partnerët kryesor në realizimin e kësaj Zyre, foli para të pranishmeve prof. Stephen Batalden. Ai përgëzoi UP-në për këtë rast të veçantë. Prof. Batalden tregoi për përvojën në Universitetin ku ai bënë pjesë si dhe për rëndësinë e hulumtimeve, duke premtuar njëherësh mbështetjen e përhershme të ASU-së për UP-në në këtë drejtim.

Qëllimi i ZHPS-së është që të koordinojë dhe të ofrojë mbështetje dhe mbikëqyrje të të gjitha projekteve kërkimore dhe të sponsorizuara nga jashtë në Universitet, ose nën patronazhin e UP-së.