Inaugurohet Qendra për Simulim dhe Zhvillim të Aftësive Klinike në Fakultetin e Mjekësisë në UP

Administrator Administrator 23 January 2018 Archived

Në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u bë inaugurimi i Qendrës për Zhvillim të Aftësive Klinike, e cila përmes simulimit do të zhvilloj shkathtësitë klinike, para se studentët të fillojnë punën praktike me pacientë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema u shpreh i lumtur me hapjen e kësaj Qendre. Ai tha që hapja e Qendrës për Simulim dhe Zhvillim të Aftësive Klinike paraqet dy objektiva të arritura të përkufizuara edhe në Planin Strategjik 2017 – 2019 të UP-së, atë që krahas nxënies teorike të mundësohet edhe praktika për studentët dhe ngritjen e infrastrukturës varësisht nevojës së programit mësimor, që kjo Qendër do ta mundësojë.   

Ndërkaq, dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Suzana Manxhuka – Kerliu tha se “kjo Qendër multidisciplinare do të facilitojë mësimdhënien dhe mësimnxënien për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, duke zhvilluar aftësitë e tyre klinike dhe duke simuluar ambiente reale para se studentët të angazhohen në praktikë me pacientë real”. Ajo falënderoi menaxhmentin e UP-së për mbështetjen e dhënë në hapjen e kësaj Qendre.

Fjale rasti në inaugurimin e Qendrës mbajti edhe kryesuesi i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, prof. dr. Naser Ramadani. Ai përgëzoi Fakultetin e Mjekësisë për punën e mbarë që është bërë në hapjen e kësaj Qendre, sipas tij duke e pasur parasysh që ky Fakultet deri tani ka bërë hapa gjigand në zhvillimin dhe edukimin e mjekëve të rinj, dhe që bashkë me Rektoratin kanë korrë suksese të lakmueshme.

Për të pranishmit, shefi i degës së Infermierisë në Fakultetin e Mjekësisë , prof. dr. Sylejman Rexhepi dhe prodekani për çështje akademike, prof. ass. Kreshnik Hoti bënë prezantimin e detajuar të Qendrës.

Ndërkaq, në fund të kësaj ceremonie Rektori Dema i shoqëruar nga prorektoret, prof. dr. Myrvete Badivuku dhe prof. ass. Teuta Pustina, si dhe të pranishmit e tjerë, vizituan Qendrën, ku u njohën nga afër me pajisjet e saj. Qendra për Simulim dhe Zhvillim të Aftësive Klinike do t’i shërbejë studentëve të këtij Fakultetit të Mjekësisë, veçanërisht studentëve të Infermierisë, Mamisë dhe Mjekësisë së Përgjithshme.