Hidhet hapi i parë i bashkëpunimit në mes të UP-së dhe UPRIA-s drejt organizimit të edicionit të tretë të Konferencës Ndërkombëtare Studentore të UP-së

Administrator Administrator 21 November 2017 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema priti në takim organizatorët e Konferencës Ndërkombëtare Studentore të Universitetit të Prishtinës (University of Prishtina International Student Conference - UPISC).

Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të organizatës jo – qeveritare UPRIA dhe Universitetit të Prishtinës, Memorandum i cili parasheh bashkëpunim në mes palëve në implementimin e projektit “University of Prishtina International Student Conference” – edicioni i tretë, ose UPISC 2018.

Dema i përgëzoi studentët për punën e bërë në dy edicionet e kaluara të UPISC-it.
“Konferencat e këtij niveli të lartë akademik, të cilat organizohen nga vetë studentët tanë, na bëjnë krenarë dhe janë pasqyra e vërtetë e studentëve të Universitetit të Prishtinës. E për këtë ju siguroj që do keni çdoherë mbështetjen time dhe të menaxhmentit të UP-së,”, u tha Dema studentëve.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i UPRIA-s, njëherësh koordinator i projektit të UPISC-it, z. Vegim Hoti falënderoi Rektorin Dema dhe menaxhmentin e UP-së për mbështetjen e parezervë që kanë dhënë në organizimin e kësaj Konference. 
“Pa përkrahjen institucionale, logjistike, morale por edhe financiare të Rektoratit, nuk do ishte e mundur që të organizohet kjo konferencë. Ne besojmë që konferencat e tilla ia ndryshojnë imazhin UP-së, e menaxhmenti aktual ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me studentët në këtë drejtim”, tha Hoti.

Projekti “University of Prishtina International Student Conference” është nismë studentore, i cili është implementuar dy herë radhazi në bashkëpunim të ngushtë me Rektoratin e UP-së.

Edicioni i parë i UPISC-it u zhvillua në maj të vitit 2016. Ndërkaq, vlen të theksohet se edicioni i dytë i kësaj konference të studentëve të UP-së, i cili u zhvillua në periudhën 2-7 maj 2017, pati 80 pjesëmarrës nga 35 vende të botës, përfshirë këtu studentë nga vende të largëta e nga ato të cilat ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.