Hapet Panairi Virtual i Karrierës – shumë mundësi për studentët

Administrator Administrator 4 May 2018 Archived

Sot në Sallën “1 tetori” u bë hapja solemne e edicionit të tetë të Panairit Virtual të Karrierës, organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, respektivisht Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe mbështetur nga projekti partner GIZ/DIMAK Kosova.

Me qëllim të ofrimin e mundësive të shumta në një vend, Panairi Virtual i Karrierës ndau një hapësirë të përbashkët ekspozimi dhe mikpritjeje për vizitorët me Panairin e Punës 2018.

Në hapjen zyrtare të Panairit Virtual të  Karrierës dhe Panairit të Punës ishin të  pranishëm: Rektori  i  UPHP-së,  prof. dr. Marjan Dema, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica, dr. Bernhard Braune nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, znj. Sandra Schenke – drejtoreshë për Evropën Juglindore dhe Kaukazin Jugor e GIZ-it, përfaqësues të kompanive, studentë dhe të diplomuar.

Të pranishmëve në këtë aktivitet iu drejtua me fjalë rasti rektori Dema, i cili bëri hapjen zyrtare të Panairit Virtual të Karrierës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Platforma Virtuale e Karrierës i ka hedhur hapat e saj ngadalë, por shumë sigurtë. Andaj , edicioni i tetë i Panairit Virtual të Karrierës e dëshmon më së mirë përkushtimin e vazhdueshëm të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, drejtë implementimit të Planit Strategjik, i njohur si plani i zhvillimit dhe i ndryshimeve thelbësore në Universitetin tonë, ku rendësi e jashtëzakonshme i kushtohet edhe lidhjes së studentëve tanë me tregun e punës”. Dema në fjalimin e tij falënderoi bashkëorganizatorët, pjesëtarët e tregut dhe studentët për kontributin e tyre. Ai ndër të tjerash tha që UPHP është shumë i përkushtuar për ndryshim dhe reforma, sepse pa ndryshimin e Universitetit, nuk ka ndryshim të Kosovës.

Hapjen e Panairit të Punës e beri ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica. Ai në fjalën e tij tha që Ministria që ai drejton është jashtëzakonisht e përkushtuar për krijimin e mundësive për punësim, ku një mundësi e mirë për punëdhënësit potencialë dhe punëkërkuesit është krijuar me hapjen këtij Panairi sot.

Hapjen e Panairit të Punës dhe atij të Karrierës e përshëndetën edhe bashkëorganizatorët: z. Bernhard Braune dhe znj. Sandra Schenke.

Rrafshi Virtual www.pvk.uni-pr.edu krijon mundësi që në kohë reale studentët dhe të diplomuarit të marrin informacione për mundësitë që ofron  tregu i punës, si dhe te përfitojnë nga këshillat për edukim dhe orientim në karrierë. 

Nën moton “Eja, tako punëdhënësin tënd potencial!”, ky Panair, përveç kompanive që potencialisht mund të ofrojnë vende të punës apo punë praktike dhe organizatave që do të ofrojnë informata rreth bursave, kurseve, trajnimeve e shërbimeve të tjera, në platformën virtuale edhe maturantët do të mund të gjejnë informata për programet e studimit të UPHP-së.

Në Panairin e Karrierës të UPHP-së po marrin pjesë 25 institucione, kompani dhe organizata, si:

  • Anglia Academy Kosovo,
  • Deloitte Kosovo,
  • American Councils for International Education,
  • IPKO Foundation,
  • American Advising Center (AAC),
  • Alumni Club Kosovo - Internship Programme of German Business,
  • SMART Center,
  • Business Development Group,
  • UN Youth Task Force,
  • Busulla,
  • MASHT,
  • Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS),
  • PEN - Peer Educators Network,
  • Venture UP,
  • Qendra për Studime Universitare – FSK,
  • Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”,
  • Universiteti  i Prizrenit “Ukshin Hoti”,
  • Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”,
  • Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”,
  • Zyra për marrëdhënie më jashtë - UPHP,
  • The Huntsman Kosovo,
  • The HeadHunter Kosovo ,
  • APPK,
  • Shoqata Alumni UP,
  • LIMAK Holding/ Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Pas hapjes së sotme, Panairi Virtual do të vazhdojë të jetë i hapur për gjashtë ditë rresht, përkatësisht me datat: 4 - 11 maj 2018  në rrafshin virtual www.pvk-uni, nga ora 10:00 deri në orën 15:00.