Ftesë për aplikim për pjesëmarrje në konferencën HNMUN

Ftesë për aplikim për pjesëmarrje në konferencën HNMUN

Administrator Administrator 16 October 2019 Archived

Harvard National Model United Nations (HNMUN) është konferenca më e madhe dhe më prestigjioze në botë që organizohet nga studentët e Universitetit të Harvard-it, e që i mbledhë më shumë se 200 universitete dhe 3000 studentë nga e mbarë bota.

Konferenca mbahet për katër ditë në Boston, nën mbikëqyrje strikte dhe të kujdesshme nga stafi i HNMUN-it. Ketë vit konferenca organizohet nga data 13 deri më 16 shkurt 2020. Ky është sesioni i 66-të vjetor.

Ketë vit, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, për shkak të bashkëpunimit korrekt dhe pjesëmarrjes së rregullt, ka marrë ftesë zyrtare nga organizatorët e konferencës, për të marrë pjesë në ketë garë dhe do të përfaqësohet nga tetë studentë, të cilët do të përgatiten dhe trajnohen, në mënyrë që Universiteti të ketë një paraqitje sa më dinjitoze dhe të suksesshme. Universiteti i Prishtinës merr pjesë për disa vite me radhë tashmë, krahas pjesëmarrjes në një numër garash të tjera studentore. Të drejtë pjesëmarrje, kanë studentët nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës.

Përmes kësaj shpalljeje, ftojmë të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës që janë të interesuar për të marrë pjesë në konferencë që të dërgojnë nga një CV dhe Letër Motivimi (jo më e gjatë se një faqe) në gjuhën angleze në e-mail adresën:  [email protected]

Aplikimi do te jetë i hapur deri me datën 18 Tetor 2019  ora 16:00. Aplikimet e dërguara pas kësaj kohe, nuk do të shqyrtohen.

Në pajtim edhe me kërkesat e donatorëve dhe parimet e barazisë dhe të dhënies së mundësive sa më të mëdha për studentët, përparësi kanë ata studentë që nuk kanë marrë pjesë më parë në konferenca ndërkombëtare-studentore.

Për më shumë informacione dhe detaje rreth HNMUN-it, mund të vizitoni faqen zyrtare: http://www.hnmun.org/

Studentët e paraselektuar mbi bazën e CV-së dhe Letrës së Motivimit, do t’i nënshtrohen një testimi me shkrim (në gjuhën angleze) për aspekte relevante për konferencën, me datën 22 tetor 2019 , me fillim në orën 19:00, në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studentët që kalojnë testimin me shkrim, do të intervistohen nga një panel profesional me datë 25 tetor, me fillim nga ora 16:00 në Fakultetin Juridik.