Festivali “GoEast” shpërblen me çmim special filmin “Nëntori i ftohtë” të profesorit të UP-së

Administrator Administrator 25 April 2019 Archived

Filmi “Nëntori i ftohtë” i regjisorit dhe profesorit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. ass. Ismet Sijarina, është shpërblyer me çmimin special të jurisë në festivalin “GoEast” në Gjermani.

Për këtë sukses, profesori Sijarina thotë se është mundësi e mirë që filmi dhe kultura kosovare të promovohen jashtë kufijve tanë.
“Për mua dhe gjithë ekipin, vlerësimet ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme, si për karrierën profesionale, ashtu edhe për promovimin e filmit jashtë Kosovës. Çdo çmim e ka vlerën e vet por në këso ngjarjesh të mëdha kulturore vetëm pjesëmarrja është çmim në vete”, thotë Sijarina.

Përveç profesorit Sijarina, pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve në këtë film kanë dalë nga Universiteti i Prishtinës. Aktorët: Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu, Alketa Syla, drejtoresha e filmit, Blerta Basholli, skenaristët Arian Krasniqi dhe Burim Arifaj janë vetëm disa nga ish-studentët e UP-së që janë pjesë e këtij filmi. E për këtë fakt, profesori Sijarina ndjehet krenar.
“Shumica e punës së këtij filmi është kryer nga kuadro të prodhuara në Fakultetin e Arteve, pra në Universitetin e Prishtinës, dhe kjo më bën dyfish krenar”, rrëfen Sijarina.

Ky çmim është i treti me radhë për këtë film. I pari ka qenë çmimi i publikuar në Cyrih të Zvicrës në një konkurrencë, ku tre nga filmat që kanë qenë në konkurrencë të njëjtë me filmin “Nëntori i ftohtë” kanë qenë të nominuar për Oscar këtë vit. Ndërsa, çmimi i dytë ishte çmimi për aktorin më të mirë në Stamboll të Turqisë.

“Nëntori i ftohtë” trajton fillimvitet e 90-ta, periudhën kohore kur janë instaluar masat e dhunshme, është anuluar autonomia e Kosovës dhe shqiptarët janë nxjerrë me dhunë nga puna.