Fakulteti i Filologjisë – sinonim i gjuhës, i letërsisë, i kulturës dhe i komunikimit

Administrator Administrator 14 November 2017 Archived

Fakulteti i Filologjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, këtë vit shënon 29 vjetorin e themelimit të tij pas ndarjes nga Fakulteti Filozofik. Por, Fakulteti i Filologjisë ka një traditë dhe përvojë edhe më të gjatë, duke pasur parasysh që Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe është themeluar në vitin akademik 1960/6, pikërisht në kuadër të Fakultetit Filozofik. Në të vërtetë, është mu kjo katedër që i jep tashmë kuptim dhe domethënie vetë historisë së arsimit të…

Disa vite pas, kjo njësi akademike në radhët e saj hapi edhe shumë katedra të tjera për gjuhë të ndryshme, ndërkaq pak më vonë e themeloi edhe departamentin për gazetari dhe marëdhënie me publikun.

Personeli akademik i Fakultetit të Filologjisë përbëhet nga 97 mësimdhënës: 70 në marrëdhënie të rregullt pune, dhe 27 të angazhuar me honorar. Stafi administrativ përbëhet nga 12 nëpunës në marrëdhënie të rregullt pune.

Përbrenda strukturës organizative të Fakultetit të Filologjisë janë 8 departamente (katedrat e dikurshme), të cilat ofrojnë studime në nivelet BA dhe MA, ndërsa studimet e shkollës së doktoratës (PhD) organizohen në dy fusha të përgjithshme të studimit: Gjuhësi dhe Letërsi. Në Fakultetin e Filologjisë 14 programe studimi ofrojnë programe të akredituara, të cilat sipas departamenteve ndahen në këtë mënyrë:

  • Departamenti i Gjuhës Shqipe me tri nivele të studimit: BA, MA dhe PhD; 
  • Departamenti i Letërsisë Shqipe me tri nivele të studimit: BA, MA e PhD;
  • Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Angleze me dy nivele të studimit: BA dhe MA, me një profilizim të programit MA në 1. Gjuhësi dhe 2. Letërsi;
  • Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Gjermane me dy: BA dhe MA; 
  • Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Frënge me një nivel: BA;
  • Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Turke me studimet e nivelit BA;
  • Departamenti i Orientalistikës që ka vetëm studimet e nivelit BA dhe
  • Departamenti i Gazetarisë, me një nivel të studimit: BA.

Mijëra kuadro u nxorën nga FF-ja, shumica e të diplomuarve tashmë janë pjesë e institucioneve publike dhe private të arsimit, para së gjithash si mësimdhënës në shkollat e mesme të ulëta dhe ato të larta, në organizatat që merren me projekte në mbështetje të zhvillimit ekonomik, politik e kulturor (si përkthyes, administrues projektesh, këshilltarë etj.), në mediet e shtypura dhe elektronike; nëpunës në ministri të ndryshme, si dhe merren me veprimtari të pavarura (përkthyes, shkrimtarë, publicistë etj.).

Fakulteti i Filologjisë, si asnjë institucion tjetër brenda UP-së, çdo verë, këtu e 43 vjet më parë e organizon Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare – institucionin më të rëndësishëm shkencor të albanologjisë në botë të pranuar gjithandej.

Ka traditën shumë të pasur të organizimit të konferencave, të aktiviteteve akademike - didaktike si dhe të mobiliteteve të shumta ndërkombëtare të studentëve dhe të personelit akademik.