Fakulteti i Edukimit pajiset me 30 kompjuterë të rinj, donacion nga Al Trade Center

Administrator Administrator 1 October 2019 Archived

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019-20, Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u pajis me 30 kompjuterë të rinj, të dedikuar për nevojat e studentëve të këtij fakulteti.

Pajisja e kësaj salle me këta kompjuterë ishte donacion nga kompania Al Trade Center, me qëllim të ndihmesës së studentëve të rinj të këtij fakulteti gjatë studimeve të tyre.

Shumë të nevojshëm e quajti këtë donacion rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili nuk kurseu falënderimet për donatorin.
“Njëra ndër pikat kryesore të cilën ne si menaxhment e kemi vendosur si objektiv në planin strategjik të UP-së është zhvillimi i sistemit në funksion të ngritjes së cilësisë së mësimdhënies, hulumtimeve dhe shërbimeve. Ky objektiv është i pasuruar me hapa të qartë për arritje të këtyre synimeve dhe inaugurimi sot i kësaj salle të pajisur me kompjuterë shënon një hap të tillë në këtë drejtim,” theksoi rektori Dema.

Të pranishmëve në këtë ceremoni, kryesisht studentë të rinj të këtij fakulteti, iu drejtua edhe donatori, z. Sokol Gashani, pronar i kompanisë Al Trade Center. Ai tha se investimi në Fakultetin e Edukimit ka qenë plan i kahershëm, me ç’rast u shpreh i lumtur për realizimin e këtij synimi. Ai, ndër të tjerash, foli para studentëve për sfidat e tij si ndërmarrës, si dhe i porositi ata që të angazhohen sa më shumë në mësime.

Pajisjen e këtij fakulteti me kompjuterë të teknologjisë së re e përshëndeti edhe dekani i fakultetit, prof. dr. Ethem Çeku. Ai e falënderoi z. Gashanin për mbështetjen dhënë për mësimdhënësit e ardhshëm, ndërkaq e falënderoi edhe rektorin Dema për përkrahjen e vazhdueshme të ofruar për këtë fakultet. 

Pas ceremonisë inauguruese, palët bënë nenshkrimin e marreveshjes së perbashket për dorezimin e këtij donacioni. 

Sot në Universitetin e Prishtinës u shënua fillimi i vitit të ri akademik, ku afro 6000 studentë të rinj iu bashkuan zyrtarisht këtij universiteti.