Fakulteti i Edukimit me program kulturor shënon 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

Administrator Administrator 27 November 2018 Archived

I mbushur me motive tradicionale ishte sot holli i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, teksa u mbajt manifestimi kulturor dhe artistik për nder të festes së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, u uroi të pranishmëve, studentëve, stafit dhe gjithë qytetarëve, festën e 28 Nëntorit, teksa shtoi që të jesh në një ambient të tillë, ku gjithçka frymon kuq e zi, është një çast nderi dhe lumturie.  
“28 Nëntori është festa që qëndron me afër zemrës se çdo shqiptari, teksa ngjyrat e kësaj feste janë dhe mbeten ngjyrat më të dashura për gjithë popullin tonë anekënd globit. Jo më kot thuhet që nëntori është i shqiptarëve, sepse gjatë këtij muaji ne festojmë disa nga datat më të rëndësishme të kombit” tha Dema. 

Të pranishmëve Festën e Flamurit ua uroi edhe dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. dr. Ethem Ceku. Ai tha që është nder dhe kënaqësi të shënojnë  këtë festë në një ambient të mbushur me studentë dhe fëmijë.

Përveç fjalëve përshëndetëse, Fakulteti i Edukimit kishte përgatitur disa kënde për të paraqitur punën e studentëve të këtij fakulteti, si: këndin e pikturës, këndin e muzeut, këndin e librave dhe këndin e fotografive. Ndërkaq, një pjesë të veçantë në këtë event kishte zënë edhe pjesa ku gjendeshin nxënësit e SH.F.M.U. "Qamil Batall”, të veshur kuq dhe zi.

Gjatë këtij manifestimi, rektori Dema, dekani Ceku dhe shefat e departamenteve, ndanë mirënjohje për studentët më të dalluar të nivelit master në këtë Fakultet.

Programi artistik ka vazhduar me poezi dhe muzikë kushtuar festës së 28 Nëntorit.