Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit pret me ceremoni kampionen Gentiana Beqa
Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u prit me ceremoni kampionia botërore e fitnesit, njëherësh asistente në këtë Fakultet, znj. Gentiana Beqa.
Në këtë ceremoni fjalë rasti mbajti edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i cili vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin e Gentianës.
“Kampionët e vërtetë besojnë në vetvete, edhe atëherë kur askush nuk beson në ta! Në historinë tonë, askush më shumë së sporti nuk na dëshmoi një gjë të tillë. Në të kaluarën, fiks atëherë kur në shoqërinë tonë po zbehej besimi në të arritura e zhvillim, e pesimizmi na lëkundte shpresën, ishin sportistët tanë ata që çdo herë na ngritën në piedestal, e na bënë çdo herë krenarë. Të tillë janë sportistët tanë, e e tillë po dëshmohet edhe znj. Beqa, e cila me përkushtimin e saj ka fituar titullin e kampiones botërore në fitness, në kategorinë “Women’s Wellness Fitness”, tha Dema.
Dema e uroi znj. Beqa për suksesin e saj, si dhe i dhuroi një mirënjohje në emër të Universitetit të Prishtinës, për suksesin e treguar në garën “World Fitness Championship 2017”, duke u shpallur kampione botërore në kategorinë “Women’s Wellness Fitness”.
Për suksesin e Gentianës folën edhe dekani i FEFS-it, z. Musa Selimi dhe kryetari i Komitetit Olimpik, z. Besim Hasani, të cilët e përgëzuan atë për suksesin e arritur.
Ndërkaq vetë kampionia Beqa, para të pranishmëve ndau tregimin për rrugëtimin e saj deri të ky sukses i jashtëzakonshëm, për të cilin falënderoi gjithë ata që e kanë përkrahur, përfshirë këtu edhe stafin menaxherial të UP-së, në veçanti Rektorin Dema dhe dekanin Selimi.