Fakulteti Ekonomik mban konferencë virtuale me temë zhvillimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik
Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar sot konferencën e tretë shkencore ndërkombëtare me titull “Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zhvillimi ekonomik: Perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Naser Sahiti, përshëndeti punimet e kësaj konference, duke vlerësuar lart vullnetin e organizatorëve, të cilët, përkundër sfidave të krijuara nga pandemia Covid-19, e bënë të mundur realizimin e saj.
“Për realizimin e kësaj konference, sigurisht që ekzistojnë arsye të rëndësishme, siç është vetë tema e saj. Zhvillimi i qëndrueshëm është një tematikë e përgjithshme, e cila i mbulon të gjitha aspektet relevante të zhvillimit të secilit shtet modern. Shpresoj që gjatë kësaj konference, shumë nga aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm do të adresohen shkencërisht,” theksoi rektori Sahiti.
Punimet e konferencës i përshëndeti edhe kryeministri, prof. dr. Avdullah Hoti, i cili e përgëzoi dekanin e Fakultetit Ekonmik dhe kolegët e tij për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm. Kryeministri Hoti tha se kjo konferencë vjen në kohën e duhur, teksa vendi po përballet me sfidat e pandemisë Covid-19, duke theksuar mesazhin që për një zhvillim të qëndrueshëm duhet të qëndrojmë të bashkuar.
Fjalë hyrëse në pjesën e parë të kësaj konference adresuan edhe znj. Ulrika Richardson nga Kombet e Bashkuara, znj. Elene Imnadze nga Banka Botërore, Maria Suokko nga UNDP-ja dhe prof. dr. Fatos Ukaj. dekan i Fakultetit Ekonomik.
Konferenca është organizuar në dy sesione dhe dy panele diskutimi, ku kanë marrë pjesë profesorë eminentë të fushës së ekonomisë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Fillimisht, konferenca në fjalë ishte planifikuar të mbahej më 12 dhe 13 mars 2020, por pas vendimit të qeverisë për pezullimin e aktiviteteve dhe mësimit në institucionet arsimore - me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19, ishte shtyrë për t’u mbajtur më pas virtualisht gjatë ditës së sotme.
