“eTema” aplikacioni i studentit të UP-së që menaxhon temat e diplomës

Administrator Administrator 19 June 2019 Archived

Valon Haliti, tashmë i diplomuar në Departamentin e Shkencave Kompjuterike në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfundoi studimet me krijimin e një aplikacioni për menaxhimin e diplomave. Aplikacioni i quajtur “eTema” do të mundësojë arkivimin e diplomave, krahasimin e tyre dhe identifikimin e plagjiaturës.

Ai thotë se është i lumtur që arriti të krijojë një ueb-aplikacion të tillë, i cili do të mund t’i shërbente universitetit, në të cilin studioi për tre vite.
“E veçanta e temës sime është që gjen aplikim te të gjithë studentët dhe stafi i universitetit”, thotë Valoni.

E për realizimin e tij, Valoni u është falënderues profesorëve të tij, pa ndihmën e të cilëve thotë se punimi i tij do të ishte i cekët.
“Realizimi i punimit nuk ka qenë shumë i lehtë, por me ndihmën e mentorit prof. ass. dr. Ermir Rogova dhe profesorit dr. sc. Eliot Bytyçi dhe resurseve te ndryshme në internet, ia kam dalë që ta përfundoj aplikacionin me sukses”, thotë ai.

E prof. ass. dr. Ermir Rogova thotë se ka pasur kënaqësinë që në rolin e mentorit ta udhëzojë Valonin për punimin e tij të diplomës.
“Aplikacioni, të cilin e ka krijuar Valoni, lehtëson shumë procesin e temës së diplomës dhe e uniformon atë. Me qasje online nga profesorët dhe studentët, mundëson listimin e temave nga profesorët dhe përzgjedhjen e temave të përshtatshme nga studentët. I gjithë procesi është i automatizuar, prej kërkesës fillestare, deri te raporti final, së bashku me përpilimin, mbushjen dhe shtypjen e formularëve”, tregon ai.

Aktualisht, Valoni punon në një kompani amerikane me degë në Prishtinë dhe në të ardhmen synon që të bëhet një arkitekt softueri.