EDHE GRUPI I DYTË E PËRFUNDOI TRAJNIMIN E NIVELIT BAZIK “MËSIMDHËNIA NË ARSIMIN E LARTË” NË QPM
Ftesës së Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për aplikim për trajnimin bazik “Mësimdhënia në arsimin e lartë” dhe “Planifikimi dhe implementimi i mësimdhënies në arsimin e lartë” të publikuar më 2 maj 2019 iu përgjigjën rreth 150 profesorë dhe asistentë, staf i rregullt i Universitetit të Prishtinës.
Më 17 dhe 18 maj 2019 u mbajtë trajnimi dyditor për grupin e parë të kandidatëve, ndërkaq më 31 maj dhe 1 qershor u mbajtë edhe trajnimi për grupin e dytë të këtij niveli. Trajnimi i cili u realizua nga trajnerët e rinj të QPM-së të certifikuar përmes programit TIT. Trajnimi u vlerësua lartë nga pjesëmarrësit, të cilët shprehën mirënjohje për përmbajtjen dhe organizimin, por edhe dhanë sugjerime për kurse të reja trajnimi të cilët do të përqendroheshin në çështje të caktuara të fushëveprimit të stafit akademik të UP-së
Përmes këtij trajnimi, vijuesit u njohën me teori dhe qasje të ndryshme bashkëkohore përkitazi me mësimdhënien dhe të nxënit. Gjatë trajnimit pjesëmarrësit i këmbyen përvojat me trajnerët e QPM-së si dhe me kolegët e tyre duke marrë pjesë në veprimtaritë e larmishme, të cilat do të mund t’i zbatojnë në punën e tyre me studentët, duke synuar gjithnjë avancimin e shkathtësive të tyre mësimdhënëse, si dhe përmirësimin e rezultateve të studentëve përmes promovimit të të nxënit aktiv.
Më 13 dhe 14 qershor do të mbahet trajnimi i nivelit të avancuar “Planifikimi dhe implementimi i mësimdhënies në arsimin e lartë” për grupin e dytë të pjesëmarrësve të cilët tashmë janë certifikuar në nivelin bazik.